Shumë kryqëzime pa sinjalistikë, rruga nacionale Pushimi i Shoferit-Divjakë, burim aksidentesh
Rruga nacionale Pushimi i Shoferit-Divjakë është një prej akseve me numrin me të lartë të aksidenteve në Myzeqe, ku vetëm në janar humbën jetën dy persona. Mungesa e sinjalistikës dhe kryqëzimet e shumta janë shkaqet kryesore.
Mungesa e sinjalistikës dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugore janë kthyer në burim aksidentesh në rrugën nacionale Pushimi i Shoferit-Divjakë.
Më i fundit u shënua këtë të enjte në kryqëzimin e fshatit Goricaj, ku dy mjete u përplasën me njeri-tjetrin.
Automjeti me targa AA 579 CC udhëtonte drejt fshatit Këmishtaj kur u godit anash nga një mjet tjetër, u cili dilte nga Goricaj në rrugën nacionale.
Goditja ka qenë e fortë e për pasojë një nga mjetet ka përfunduar në trotuar duke thyer shtyllën e ndriçimit disa dhjetra metra më tej.
Fatmirësisht dy shoferët dhe pasagjerët shpëtuan pa dëmtime serioze, ndërsa dëmet materialet ishin të mëdha.
Ekspertët e policisë rrugore, nisën një hetim për zbardhjen e përgjegjësisë, ndërsa shkak dyshohet shkelja e rregullave të qarkullimit rrugore.
Vetëm gjatë muajit janar, në këtë aks kanë humbur jetën dy persona.
Hyrje daljet e shumta në rrugën nacionale për shkak të fshatrave që shtrihen përgjatë në vazhdimësi janë bërë shkak aksidentet e shumta në aksin Pushimi i Shoferit-Divjakë.
