Ndryshimi në komisariate e drejtori qarqesh, pa efekt. Rriten ngjarjet kriminale, bie zbulushmëria e krimeve

Situata kriminale në vend vijon të mbetet shqetësuese e ndërsa rikthimi i vrasjeve për gjakmarrje apo kultivimi i kanabisit ngrenë pikëpyetje mbi punën e policisë. Ultimatumi i kryeminsitrit Rama për Ardi Veliun dhe ardhja e Gledis Nanos nuk solli ndryshim të rezultateve. Mesa duket ndryshimi i shefave të komisariateve dhe drejtorëve të qarqeve nuk ka qenë efektiv përsa kohë që xhaketat e vjetra në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nuk janë prekur.

Ultimatumi i dhënë nga kryeministri Edi Rama u bë shkak për largimin e Ardi Veliut nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për shkak të problematikave në luftën ndaj krimit.

“Keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit” deklaroi Rama më 8 korrik 2021.

Me qëllim përmirësimin e punës në krye të policisë së shtetit u emërua ish-drejtori i Antiterrorit, Gledis Nano.

Në përpjekje për të ndryshuar frymën e punës ai filloi një seri analizash dhe ndryshimesh në komisariate dhe në drejtoritë e qarqeve, por ndryshimet mbetën me kaq.

Xhaketat e vjetra në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë, aty ku është edhe drejtimi strategjik i policisë, mbetën të paprekura.

Ndryshimi i drejtorit të Përgjithshëm shoqëruar me rokadën në komisariate dhe drejtoritë e qarqeve duket se ka qenë i pamjaftueshëm në kushtet kur shefat e sektorëve dhe drejtorët e drejtorive në qendër mbeten të njëjtë.

Siç shikohet në këtë grafik (Foto poshte) me treguesit e punës së policisë, rezultat në operacionet e zhvilluara si dhe personat e shpallur në kërkim, ishin më të mira në 100 ditëshin e parë se në të dytin.

Ndryshimi në komisariate e drejtori qarqesh, pa efekt. Rriten ngjarjet

Siç duket qartë, situata e kriminalitetit nuk ka ndryshuar teksa keto shifra tregojnë se përveç fytyrave të reja në strukturat bazë të policisë në 12 drejtoritë e qarqeve dhe komisariate, ndryshimet dhe rifreskimi duhet të prekin krejt aparatin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.