“Erion Veliaj na ofendoi”, banori: Çizme maloku je ti, injorant që përdor këto shprehje

Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua edhe këtë të enjte me protestën e banorëve të Tiranës që preken nga projektet e bashkisë. Ata u mblodhën përsëri para godinës së parlamentit duke kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë që po u shemben. Qytetarët thanë se janë ofenduar e fyer nga gjuha e përdorur prej Erion Veliajt ndërsa kërkuan sensibilizimin e Ambasadave në mbrojtje të pronave të tyre.

Banorët e Laprakës, 5 Majit, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit, që preken nga projektet e bashkisë së Tiranës u mblodhën përsëri përpara parlamenit për të kërkuar mbrojtjen e pronave që po u shemben nga projektet e rindërtimit.

Ndërkohë që Kuvendi po vijonte seancën e të enjtes, qytetarët përveç deputetëve ju drejtuan edhe kryebashkiakut të Tiranës, duke thënë se ndjehen të ofenduar nga gjuha e përdorur prej Erion Veliajt.

"I them zotit Veliaj, ke ofenduar dhe ke thënë se do heq çizmen e malokëve nga Tirana. Ti je çizme maloku, injorant. Mos i përdor këto shprehje kryetar i bashkisë se jemi qytetarët të Tiranës dhe paguajmë taksa. Nuk jemi zaptues se i kemi blerë ato prona ku kemi ndërtuar shtëpitë. Kërkojmë të drejtën tonë."

Protestuesit thanë se shpresën e vetme e shohin te Ambasadat e huaja, ndaj një thirrje e kishin për diplomatët duke kërkuar sensibilizimin e tyre.

"Ju kërkojmë një fije lidhje me pushtetarët tanë që nuk dëgjojnë të bisedojnë me popullin e tyre."

Pas protestës para parlamentit, qytetarët u drejtuan të Ambasada amerikane me pankarata ku kërkohet respektimi i pronës.

Ndërkohë që banesat e tyre po shemben në shumë raste edhe me dokumente pronësie, Avokati i Popullit ka deklaruar se Bashkia nuk u ka ofruar qytetarëve kontrata transparente për dëmshpërblimin.