“Mos ma shembni shtëpinë”, vogëlushi mesazh djalit të kryeministrit nga protesta

Banorët e Laprakës, 5 Majit, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit, që preken nga projektet e bashkisë së Tiranës u mblodhën përsëri para Parlamentit për të kërkuar mbrojtjen e pronave që po u shemben nga projektet e rindërtimit. Ata kërkojnë shpronësim të plotë si dhe njoftim për afatet se ku dhe kur do të vendosen në banesat e reja. Mes protestuesve ishte edhe një i ri që iu adresua djalit të kryeministrit me kërkesën që të mos i shembet shtëpia.

"Shoku im Zaho thuaj babit që mos na i prishë shtëpitë."

Me thirrjet e këtij vogëlushi për djalin e kryeministrit Edi Rama nisi protesta e banorëve të kryeqytetit që preken nga projektet e bashkisë së Tiranës dhe qeverisë.

Për të katërtën javë banorët e 5 Majit, Laprakës, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit protestuan para Parlamentit kundër shembjes së shtëpive pa dëmshpërblim dhe pa u njoftuar për afatet se ku dhe kur do të vendosen në banesat e reja.

"Duam përgjigje që ku, si dhe kur do të strehohemi dhe ku do të marrim banesat tona."

Banorët e Paskuqanit dhe Laprakës të cilët preken nga projekti i unazës së madhe kërkuan transparencë të projektit.

"Ju po i falni vetes suaj jetë luksoze çdo ditë, ndërsa ne po na dëboni dhe po na nxirrni në rrugë."

Pas protestës tek parlamenti ata marshuan drejt selisë ambasadës amerikane ku kërkuan nga Yuri Kim një urë lidhëse me politikanët shqiptarë për ti dëgjuar kërkesat e tyre.

"Zonjës Yuri Kim i kërkojmë një fije lidhjeje dhe më vjen turp ta them që ne nuk arrijmë të lidhemi me pushtetarët të cilët i sollëm në pushtet."

E mbetur pa shpresë, një banore e "5 Majit" u fut brenda oborrit të Kuvendit për të takuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Ajo i kërkoi mbështetjen e tij për shpronësim të drejtë nga qeveria.

Protesta e radhës do të zhvillohet të shtunën në zonën e 5 majit aty ku më datë 22 sipas njoftimit priten të shemben dhe 12 banesa.

Në këtë zone më shumë se 400 shtëpi preken nga procesi i rindërtimit dhe sipas tyre shumica nuk kanë firmosur marrëveshjen me bashkinë Tiranë për firmosjen e bonusit të qirasë pasi nuk janë dakord me kushtet e vendosura në kontratë.