Gjiknuri informon Berlinin për vettingun dhe reformën në zgjedhore.Gati vizita e Ramës
Shtyrja e afateve për vettingun dhe reforma zgjedhore kanë qenë tema të diskutimit gjatë takimeve që Damian Gjiknuri zhvilloi në Gjermani. Gjatë takimeve ai thekson se informoi partnerët për shtyrjen e afateve të vettingut dhe bisedimet për reformën në zgjedhore. Po ashtu ai bëri të ditur se dhe kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Berlin.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Berlin ku Në Ministrinë e Jashtme Federale takoin ambasadoren Susanne Schutz, Drejtoreshë për Evropën Juglindore, Turqinë, OSBE dhe Këshillin e Evropës.
Një tjetër takim u zhvillua me Adis Ahmetovic, raportues për Ballkanin Perëndimor në Bundestag.
“Pata rastin ti njoh me zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Reformat që kanë marrë hov, sidomos reforma në drejtësi, ndryshimin e Kushtetutës për zgjatjen e vettingut. Njëkohësisht edhe për reformat e pritshme sikurse është ajo zgjedhore, ku shpreha edhe një herë gadishmërinë e mazhorancës për gjetjen e zgjidhjeve të duhura, kompromiseve të nevojshme, me fokus përmirësimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e agjendës së integrimit”.
Në ditën e dytë të qëndrimit, delegacioni i kryesuar nga Gjiknuri u prit në Bundestag nga tre drejtues të rëndësishëm të Grupit Parlamentar Socialdemokrat.
“Pata rastin të diskutoj, sidomos në Komisionin e Bundestagut që mbulon çështjet e Europës Juglindore, dhe të elaboroj më thellë procesin e ‘Ballkanit të Hapur’; interesin që treguan përfaqësues të Bundestagut në lidhje me këtë proces; si edhe mora garancinë se shumë shpejt do të ketë një fazë të re të procesit të Berlinit. Mbase mund të ketë një emër tjetër, por e rëndësishme është se Gjermania do të ketë rol kyç në udhëheqjen e këtij procesi për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Mendoj se është momenti i duhur me qeverinë e re gjermane, e cila e ka vënë në marrëveshjen e koalicionit, integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Procesi i zgjerimit është komplet natyral”, nënvizoi Gjiknuri.
Delegacioni u prit dhe në zyrat qendrore të Partisë Socialdemokrate nga Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Rainer Vogt dhe Këshilltari për politikat mbi Evropën Leonard Pledt.
Gjatë takimeve u diskutua edhe vizita që kryeministri Edi Rama do zhvillojë në Gjermani.


