Afera 430 mln lekë me incineratorët, Basha: Rama nuk mund të lajë duart me ministrat. Replikon Spiropali: Je i zhytur në zullum, vetëm 2 gishtat lart
Aferat korruptive përmes incineratorëve ishin fokusi i diskutimeve të seancës plenare të së enjtes, të cilët kanë sjellë përplasje mes opozitës dhe mazhorancës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi arrestime të tjera në radhët e ministrave të qeverisë Rama
Sipas Bashës, koka e kësaj afere korruptive është kryeministri Rama, i cili sipas tij ka dhënë miratimin për të gjitha procedurat e incineratorëve.
Basha: Nga kjo sallë e Kuvendit, sot pritet të diskutohet një rend dite për marrëveshje rutinë. Do ishin simbolike nëse korrupsioni dhe paratë e drogës, nuk do e kishin kthyer Spanjën në një prej destinacioneve të preferuara për trafikimin e drogës. Ky është një nga shqetësiomet kryesore të drejtësisë së vendeve europiane. Këtu në këtë sallë me miratimin e kësaj marrëveshje, të vetmit që nuk duhen të krekosen, janë ata që janë detyruar ta sjellin marrëveshjen.
E rënduar siç është Spanja me rekorde kriminale, problemi i kryesor i vendit është korrupsioni qeveritar. Ftesat për të braktisur denoncimet e aferës së shekullit mbajeni për veten. Nëse do të kishit një fije dinjitet, nëse nuk jeni skllevër të numrit 1. Duhet të flisnit për inceneratorët, për atë që u kapët me presh në duar. Çdo ditë po dëgjojmë në komision se si ka ndodhur vjedhja. Po dalin përpara syve të shqiptarëve. Si është ndërtuar dhe strukturar skema. Si është planifikuar vjedhja e 430 mln eurove? Skemë që pëfshin ministritë kryesore. Komisioni po zbardh se pse Edi Rama nuk mund të lajë gishtat nga përgjegjësia duke bërë kurban vetëm ministrat, të cilët shumë shpejt do të fillojnë të përballen me drejtësinë.
Njerëzit e kuptojnë se koka e këtij korrupsioni është koka e qeverisë. Komisioni po vërteton se asgjë nuk ka ndodhur pa miratimin e tij. Kjo është arsyeja. Edi Rama e mbylli komisionin, por u rihap vetëm pas presionit të opozitës dhe ndërkombëtarëve. Dëgjesat e ditës së parë konfirmuan vjedhjen e 430 mln euirove. Me gjithë përpjekjet për ta ndërprerë, së pari, pagesat me paratë e shqiptarëve, kanë filluar dy vjet. Në mes të pandemisë, këta faturuan 850 mijë euro fluturime.
Në mungesë të kryeministrit Rama, ishte ministrja Elisa Spiropali ajo që iu përgjigj akuzave të kreut të opozitës.
Spiropali: Duhet të shohim si ishte drejtësia dje. Kush e mendonte se kryebashkiakë, udhëheqës politikë, ministra apo drejtues të tjerë do të viheshin në dyshim, le më të merreshin të pandehur, të dilnin para prokurorisë dhe gjykatës. Lulzim Basha është shembull i gjallë sesi jo për këto që thotë afera kaq dhe aq, numra që i përsëriti se nga matematika nuk merr vesh po për fakte, procedura të provuara, vjedhje të provuara ka shpëtuar vetë me procedurë për shkak të asaj drejtësie. Sot merret në pyetje nga prokurorë belgë.
Flet për gishta dhe duar brenda dhe jashtë zullumit, ky që vetëm dy gishta ka lart dhe është i gjithi i zhytur brenda. Patjetër që lejuam të ngrihej komisioni për hetimin e procedurave për incinerratorët por është për menaxhimin e mbetjeve që ishin bërë mullar në këtë vend. Edhe pse ishte në hetim nga SPAK e morëm vendimin për të qenë transparent deri në fund, nuk kemi gjë për të fshehur. Nëse ka pasur shpërdorim e detyrë e cakton prokuroria, as ju dhe as zonja Tabaku që është kthyer në prokurore për konsum publik se ka merak mos e sulmojnë të sajët brenda partisë.
Deri sot ka ndenjur e heshtur dhe e fshehur sot ka dalë në ballë të betejës duke shpallur njerëz fajtorë dhe duke kërkuar burgim. Ku jemi këtu, ne nuk çojmë njerëz në burg, e bën drejtësia. Kemi marrë vendimin për të çliruar drejtësinë dhe këtë vend nga ju. Sado flisni me gjuhë prokurori dhe vepra të të pandehuri dhe fajtori nuk i bindni dot qytetarët. Ata zgjedhjen e kanë bërë politikisht kur kanë votuar, ju kanë lënë pakicë gjithmonë e më të vogël dhe të pabesueshme se jeni të pavërtetë në ato që thoni. Sot që interesi juaj është i ndarë bëni garë kush është më radikali, kush do çojë njerëz në burg, çoni letra prej hetuesi në Ambasada. Nuk e përcaktoni ju, shkoni dhe përgjigjuni për ato që keni bërë.
Do vijë koha e përgjegjësisë për të gjithë, po ndahet shapi nga sheqeri. Pavarësisht se ndonjë në kryëe të shtetit mendon se mund t'ja hedhë, apo dikush që është këtu në pozicion tjetër nuk ja hedh dot, se në fund të gjykon sovrani. Ne do vazhdojmë të qeverisim ashtu si pastrimi i Shqipërisë në Fier, Elbasan dhe Tiranë është i domsodoshëm dhe duhet bërë. Këtë mundësi nuk na e hiqni dot se na e ka dhënë vota e shqiptarëve. SPAK, prokuroria të shohin dosjet e arkivuara, tu heqin pluhurin, të shohin rekomandimet e komisioneve hetimore të mëparshme, e mbani mend besoj komisionin e CEZ, privatizimet.
Ndërsa sa i përket incineratorëve, qeveria tregoi edhe njëherë se nuk i intereson se çfarë faktesh dhe provash dalin nga Komisioni Hetimor.
Ndërkohë, ka qenë kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku ajo që replikoi me Spiropalin në lidhje me hetimin për incineratorët.
Tabaku: Kur unë bëra interpelancë për këtë çështje ti ishe te trau i Doganës. Për korrupsion jeni vërtetuar që jeni kapur. Sot akuzoheni për pastrim parash. A e dinë qytetarët shqiptarë se çfarë ka ndodhur me 430 mln euro?
Sipas saj, zyrtarët shtetërore u përdorën si lecka dhe kushdo që është i përfshirë rezulton në shkresa dhe letra.

