Estetistja Beli Kraja: Hapa sallon privat në kohën e Ramiz Alisë, më thoshin s’do ja dalësh
Në emisionin e pasdites “Jeto me orën” në RTV ora ditën e sotme ishte e ftuar një ndër emrat më të njohur në vendin tonë përsa i përket së bukurës, estetikës dhe parukerisë, Beli Kraja. Ajo e nisi bisedën në studio duke bërë një retrospektivë në kohë. Përmendi fillimet e saj në këtë rrugë sa të bukur edhe të vështirë.
Ajo përmendi një mungesë të theksuar të produkteve, si dhe mungesë informacioni për mënyrën sesi funksiononin gjërat, pasi sipas saj nuk kishte internet, gjithçka ishte e kufizuar.
“Në fillimet tonë ishte vërtet shumë e vështirë. Askush nuk e besonte që mund të hapnim një sallon bukurie, një profesion jo shumë i kërkuar asaj kohe në privat. Qarkullonin fjalët që kush të lë të punosh në një biznes privat, por ja që ia dola. Nuk ekzistonte internet, kishim mungesë informacioni. Në fillimet e mia kisha 17-18 nuse brenda ditës. Ka pas pafund vështirësi në atë kohë, por mendoj se ja kam dal më së miri. Normalisht kishim mungesë produktesh, lapsash, ishte e varfër kjo pjesë asaj kohe. Kishim vetëm një bojë flokësh, domosdoshmërisht vetëm atë do përdornim.
Ngaqë, kam studiuar për pikturë, mendoj se kjo ka qenë një benefit për mua”, u shpreh Kraja.
Më tej ajo tregoi për kalimin e saj nga një degë ekzakte siç ishte dega ekonomikut, në një fushë krejtësisht tjetër si ajo e parukerisë. Ajo tha se vështirësia ishte, por nuk shmangu as frikën sesi do ishte rrugëtimi i saj në këtë drejtim që zgjodhi.
“Ajo ka qenë shumë e vështirë. Ishin vitet e para të rrëzimit të komunizmit, ishim të rinj dhe e donim frymën e re që po vinte. Por, fillimi ishte shumë e vështirë, një varfëri ekstreme në fillimet e viteve 90’. Pasi u çelën kufijtë, ishte pak më e lehtë, si në produktet por, edhe në informacione. Njerëzit filluan të kuptojn se jemi një vend mesdhetar, ne e duam të bukurën”, tha ajo më tej. Kraja, më pas u shpreh se “dega e ekonomikut më ka ndihmuar shumë, përsa i përket ecurisë së biznesit”.
Një ndër pikat më kulmore të saj, ajo cilësoi krijimin e shoqatës kombëtare “Bukuria Shqiptare” e vitit 1997.
Së fundmi ajo u ndal gjithashtu në cilësinë e produkteve kozmetike që përdoren në vendin tonë, ajo tha se “produktet në magazinat tona nuk kontrollohen, ama këto sjellin pasoja pafund”.
