Shqip në SHBA, Mira Konçi me "Lule borë" krijon atmosferë festive në pritjen e Ramës në Nju Jork

E zhvendosur prej kohësh në SHBA, këngëtarja e njohur Mira Konçi ka qenë e përzgjedhura nga stafi organizator për të kënduar në pritjen e organizuar në Nju Jork me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Me tingujt e këngës së mirënjohur qytetare shkodrane "Lule borë" ajo krijoi një atmosferë festive dhe shqiptare për të pranishmit.

Me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në SHBA u organizua një pritje ku merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Abdulla Shahid, ministrja për Europën e Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe personalitete të tjerë të rëndësishëm.

Kryeministri theksoi se “vetëm një imagjinatë pa fre do kishte guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë”.

“Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do kishte qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më parë. Asokohe, Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës”, tha ai.