Komisioni Hetimor pyet dëshmitarët, administratorja e impiantit të Tiranës tregon si e njeh Mërtirin, Zoton dhe Gugallen
Komisioni Hetimor për Inceneratorët ka nisur sot marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
Të parët që janë thirrur janë tre administratorët e inceneratorëve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.
Administratorja e Inceneratorit të Tiranës, Ariola Kodra, është pyetur në lidhje me njohjet me Klodian Zoton, Stela Gugalljan dhe Mirel Mërtirin nga kryetarja e Komisionit Tabaku.
“Nuk jam e detyruar të kontaktoj me nënkotraktorë sepse kam një staf që kontaktoj. Unë kontaktet nuk i kam të drejta me nënkotraktorët, komunikoj nëpërmjet stafit tim. Unë s’e kam memorizuar këtë pjesën e takimit. Nuk mbaj mendon kohën dhe vendin e takimit."
Ndërsa e pyetur nëse ka pasur njohje me kryeministrin Edi Rama apo ministrin Damian Gjiknuri, Kodra tha se i njeh vetëm si politikanë dhe nuk ka pasur asnjëherë kontakt me ta, as ajo as familjarët e saj.
Administratorja e kompanisë që menaxhon fushën e përpunimit të mbetjeve në Tiranë tha më tej se kompania është brenda afateve të kontratës për punimet.
"Sot qytetarët e Tiranës kanë një hapësirë moderne të trajtimit të mbetjeve, sot ajo situatë katastrofë nuk ekziston më. Ne jemi brenda afateve të vendosura nga kontrata për mbarimin e punimeve. Kontrata paraprake përfshin rehabilitim, rregullim të infrastrukturës së zonës, gjelbërim etj".
Por kryetarja e Komisionit Hetimor tha se kontrata koncesionare nuk është zbatuar saktë.
"Sot duhet të kishte filluar incinerimi. Ju i keni marrë të gjitha lekët për ta zbatuar grafikun e punimeve".
"Është propozuar një grafik i ri, i cili ka të përcaktuar të gjitha afatet e periudhës së punimeve. Pra, është rishikuar pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe dokumenti është depozituar pranë kontraktuesit" iu përgjigj Kodra.

