SPAK sekuestron dokumentet e incineratorit të Tiranës

Incineratori i Tiranës është tashmë objekt hetimi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

SPAK ka sekuestruar dokumentet e inceneratorit të Tiranës. E konfirmoi administratorja e Integreted Energy BV SPV, Ariola Kodra sot gjatë dëshmisë së saj në Komisionin Hetimor për Inceneratorë.

"I gjithë dokumentacioni teknik ligjor dhe kontraktual e financiar e ka marrë në dorëzim SPAK. Për këtë disponojmë procesverbalet e marrjes në dorëzim dhe urdhrat e sekuestrimit të SPAK" tha Kodra.

Deputeti demokrat Belind Këlliçi e pyeti administratoren e kompanisë “Integrated Energy”, se si ka mundësi që sipas tij janë paguar 804 mln lekë për udhëtime në një kohë pandemie.

Administratorja Kodra i është përgjigjur se  shifrën e saktë s’e ka parasysh por punonjësit kanë bërë udhëtime nëpër shtete të ndryshme për të takuar kontraktorë.

"Po janë bërë për të takuar kontraktorë… Kanë udhëtuar për takuar kontraktorë që do marrin pjesë për ndërtimin e impianteve. Të gjitha pajisjet e impianteve të trajtimit të mbetjeve, prodhohen jashtë vendit", tha ajo.