"Punoja prej një muaji e gjysmë, asnjë pagesë", mbetet në burg punëtori i kanabisit në "shtëpinë e barit" në Ndroq
Lirohen nga paraburgimi dy punonjësit e OSHEE të arrestuar për lidhjen e paligjshme të energjisë në shtëpinë ku kultivohej lëndë narkotike në periferi të Tiranës. Togat e zeza lanë në qeli vetëm punëtorin që kujdesej për kanabisin, Erban Daja, i cili tha se punonte prej një muaji e gjysmë tek banesa në Ndroq, por nuk kishte marrë asnjë pagesë.
Gjykata e Tiranës la në burg pa afat punëtorin e shtëpisë ku kultivohej kanabis në zonën e Ndroqit, ndërkohë që liroi dy punonjësit e OSHEE të arrestuar tri ditë më parë për shkak të lidhjes së paligjshme të energjisë në objektin ku përpunohej lënda narkotike.
Të arrestuarit për këtë çështje Qemal Hasa, elektriçist, Erjon Mema, futurist i OSHEE në fshatin Pinet, u liruan nga burgu dhe u lanë në "arrest shtëpie", ndërkohë mbajtja në qeli është vendosur nga gjykata për shtetasin Erban Daja, punëtor që u gjet brenda banesës ku kultivohej lënda narkotike.
Pronari i banesës, i cili është emigrant jashtë vendit, ka deklaruar se nuk kishte dijeni për kanabisin ndërkohë që në kërkim është shpallur shtetasja Rudina Xhambazi e cila rezulton qiramarrëse e objektit.
Sipas prokurorisë brenda banesës në katin përdhe janë gjetur 247 bimë narkotike kanabis sativa me gjatësi nga 80 deri në 140 centimetër të cilat ishin kultivuar në varo plastike.
Në cilësinë e provave janë sekuestruar edhe 45 ushqyes elektrikë, 46 llampa dhe 11 freskuese që shërbenin për rritjen e bimëve narkotike.
Përveç kultivuesve të bimës narkotike nën akuzë për këtë rast janë vendosur edhe punonjësit e OSHEE, të cilët nuk kanë denoncuar ngjarjen pavarësisht lidhjes së paligjshme që ishte kryer në shtyllë për furnizimin me energji të banesës.
I vetmi person që u la në burg për këtë çështje, shtetasi Erban Daja, tha në gjykatë se punonte prej një muaji e gjysmë tek banesa në periferi të Tiranës ku kujdesej për rritjen e bimëve narkotike, ndërkohë që nuk kishte marrë asnjë pagesë.

