Fermerët po falimentojnë, në Devoll protestojnë blegtorë e bujq, fikin makineritë bujqësore
Me çmimin rekord e kanë të vështirë furnizimin me karburant të mjeteve bujqësore.
Të dielën fermerët e Devollit i fikën traktortët dhe protestuan pranë Drejtorisë së Bujqësisë.
Rritja e çmimit të naftës dhe plehrave kimike thonë se i ka çuar në prag të falimentit.
"Paguajmë 300 lekë për litër taksë qarkullimi. Vjet e kishim urenë me 34 mijë lekë, sivjet është 110 mijë lekë."
"Kërkojmë nga institucionet uljen e çmimit të naftës për fermerët, por jo u dhamë një bidon me naftë dhe mbaroi puna. Të ulet në përgjithësi."
Për këtë arsye vit pas viti po detyrohen të heqin dorë nga mbjellja e tokave.
"Para dy vjetësh kam pasur 350 dynym tokë, sivjet kam përfunduar në 170".
"Shumica nuk po punojnë, ca e kanë mendjen të ikin, nuk kanë çfarë shesin."
Shpenzimet për ta janë shtuar por prodhimet vijojnë ti shesin me çmime të ulëta.
"Këtu qumështi vijon akoma me 400 lekë."
Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka, thotë se politikat e qeverisë favorizojnë vetëm ata që kanë sipërfaqe të mëdha toke.
Më të vegjëlit janë të përjashtuar nga subvencionet.
"Para dy ditësh ka dalë VKM për shpërndarjen e 3.2 mld lekëve që ishin në dispozicion të fermerëve dhe ka akorduar për fermerët e serave për të kompensuar koston e lartë të shkaktuar nga rritja e çmimit të imputeve, 40 mijë lekë të reja për dynym. Është vënë një klauzolë që do të përfitojnë vetëm fermerët që kanë mbi 1 ha".
Pavarësisht reagimeve, qeveria nuk i ka pasur prioritet fermerët, ndaj kryetari i Prodhuesve Vendorë, Ervin Resuli, paralajmëron protesta.
"Tashmë jemi përballë asaj, duhet të falimentojmë dhe të ikim nga ky vend apo të rrimë këtu dhe tu prishim gjumin atyre politikanëve, të cilët asnjëherë nuk e kanë në vëmendje fermerin dhe blegtorin shqiptar."
Për shkak të mungesës së tregut shpesh fermerët janë detyruar të hedhin në kanale e lumenj tonelata prodhimesh bujqësore dhe bashkë me to mundin dhe djersën e gjithë vitit.
LSI: Rilindja po e përdor bujqësinë në funksion të pastrimit të parave dhe oligarkëve
Lidhur me protestën reagoi sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, i cili e akuzon qeverinë se po falimenton bujqësinë.
