"Sytë janë në Shkodër", Berisha i tregon 'formulën e fitores' Bardhit: Çdo votë për kandidatin e Bravës, votë e humbur për PD
Pasi e prezantoi para demokratëve të Shkodrës si kandidat për të drejtuar bashkinë e kryeqendrës së veriut, ish-kryeministri Sali Berisha u ndal për një takim me shtabin elektoral të Bardh Spahisë.
Berisha u kujtoi edhe njëherë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.
Berisha: Kjo fushatë ka një domethënie shumë më të madhe sesa zgjedhja e kryetarëve të 6 bashkive. Ne si opozitë pësuam një goditje dhe krizë të rëndë. Por pati një anë pozitive, ringritjen tonë si opozitë e vërtetë.Kemi përballë një qeveri që nuk respekton asnjë rregull dhe një faktor tjetër të marrë peng i cili ka marrë me ndihmën e policisë vulën dhe logon e PD.
E ndërsa PD është e ndarë në dy pjesë, Berisha u kërkoi që krahas punës me qytetarët duhet të tërheqin pas vetes sa më shumë demokratë të mbetur ende në strehën e Bashës.
Berisha: Ne duam të bashkohemi sa më shumë. Interesi i opozitës është të dalë sa më e bashkuar, interesi i Edi Ramës është të dalë sa më e copëtuar opozita. Duhet të bëni një punë të dyfishtë, me qytetarët dhe ata që për një arsye apo tjetër vazhdojnë të mbeten të mashtruar nga një njeri që u premton të ardhmen paçka se ka kaluar nga humbja në humbje, i lejoi vetes akte që nuk kanë ndodhur kurrë me një kryetar partie në historinë politike të Europës kundër anëtarëve të tij, një njeri që është viktimë e veseve të tij. Ai është në hetime ndërkombëtare në të paktën dy çështje shumë serioze, përpjekjet që bëhen për ta ndihmuar janë krejtësisht të pashpresa dhe false. Përpjekje për ta bërë të dëmshëm për opozitën e vërtetë por kjo nuk na dëmton.
Shkodra është beteja kryesore tha Berisha, duke deklaruar se çdo votë për kandidatin e PD zyrtare është e humbur dhe shkon në favor të Ramës.
Berisha: Të gjithë sytë janë në Shkodër, i di vështirësitë por potencialet janë të jashtëzakonshme për një fitore të shkëlqyer të Bardh Spahisë ndaj dy kandidatëve të tjerë.Një votë për kandidatin e Lul Bravës është një votë e humbur për PD dhe Shkodrën, vota e humbur i intereson Edi Ramës dhe askujt tjetër.
Si mjeshtër i organizimit të fushatave elektorale, ai i lejoi vetes tu japë edhe disa këshilla sesi duhet të procedojnë drejt fitores së sigurt.
Berisha: Tu rikthehemi formave të kontaktit me qytetarin, të gjitha mjetet e komunikimit janë të dobishme por komunikimi direkt, vendosja nën derë e një fletëpalosje me premtimet, vizionin, ftesën është respekt i madh për qytetarin dhe dëshmi e përkushtimit tonë. Do të bëjmë fushatën më të fuqishme që kemi bërë ndonjëherë. Koha është e shkurtër. Kjo kërkon të punojmë me orë të zgjatura, brenda mundësive gjatë gjithë ditës.
Bardh Spahia duhet ti bjerë Shkodrës shumë km në ditë për të takuar qytetarët e Shkodrës. Betejë kjo e cila vetëm sa e fisnikëron, e afron më shume me qytetarët. Nuk duhet të injorojmë për asnjë moment zonat e tjera. Shkodra është sa një shtet në sipërfaqe, nga Shana në Velipojë, është 200 e ca km po ta marësh si distancë. Duhet të përpiqemi të dëgjojmë çdo banor dhe të çojmë zërin tonë. Shkodra ka një zonë bujqësore nga më pjelloret që mund të ketë vendi.
Duhet të flasim me çdo fermer për pasojat katastrofale të Ballkanit të hapur. Vërshimiun e prodhimeve të Serbisë që në fakt janë të subvencionuara dhe faktikisht nxjerrin jashtë tregut prodhimet tona. Askund në botë nuk ndodh kjo. Vendet e BE vërtet i qarkullojnë por ato kanë kuota dhe nuk lejohet të prodhohet asnjë ton më shmë se kuotat e përcaktuara, nuk lejohet të mbillet asnjë hektar më shumë seçi lejohet për kulturën bujqësore në mënyrë që të mos dëmtohet tjetri.
Kurse ky do hapë kufijtë me një shtet që nuk kemi asnjë km kufi gjëkundi dhe kjo është një dëm shumë i madh në radhë të parë për fermerët tanë. Shkodra ka një zë të fuqishme në prodhimin bujqësor dhe blektoral të vendit. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka për të qartësuar fermerin, vota e tyre është votë për fermën e tyre. Vota e tyre është për të mbrojtur punën e tyre.
Duhet të bëhet punë e madhe me të rinjtë. Kandidatin e kemi një përfaqësuas të tyre dhe ky është avantazh. Elektrizimi i të rinjve është garanti kryesor për fitoren më të thellë. Në përgjithësi të rinjtë nuk e duan Ramën sepse ai është arrogant dhe të rinjtë nuk e duan arrogancën. Ai mundohet të futet te ta me mashtrime dhe show-ut por të rinjtë nuk e duan sepse është arrogant dhe hipokrit. Duhet të bëjmë çmos me të rinjtë, që këtë fushatë të jenë ata vektorët më kryesotë të saj dhe ta shndërrojnë këtë fushatë shprese jo vetëm për Shkodrën por për tërë Shqipërinë.
