Të ndarë në 6 mars, Hoxha: Jemi në vështirësi por shkojmë për të fituar me kandidatët e PD

Flamur Hoxha, sekretar organizativ i PD, i konsideron të vështira zgjedhjet e 6 marsit për shkak të krizës së brendshme brenda kësaj partie që mund të  çojë në çarje të votës.

Por i ftuar në Ora News ai thotë se futen në këtë betejë për të fituar.

Hoxha: Demokratët nuk duhet të përdoreshin si mish për top. Sot jemi në një betejë që ndoshta do të ketë kostot e saj, na ka futur në vështirësi duhet ta pranojmë, por ne po punojmë qoftë me anëtarësinë, qoftë me elektoratin gri për të mbështetut fuqishëm kandidtët tanë në 6 bashki. Do shkojmë për të fituar.

Kur gjërat janë të vështira, thotë ai, duhet të kesh këllqe për ti përballuar dhe të gjesh zgjidhje.

Reformën zgjedhore dhe atë territoriale i konsideron jetike për proceset e ardhshme zgjedhore.

Hoxha: Është shumë problem të bësh zgjedhje sot në Shqipëri, duket sikur je në prag lufte.Çdo parti duhet të vendosë një standard. Në zgjedhjet e ardhshme duhet të hyjmë të sigurt për atë që do marrim.

Aferën e incineratorëve e konsideron një megaskandal nga të gjitha skandalet e denoncuara në jetën politike ndër vite për të cilat, sipas tij, qeveria e tretë e Edi Ramës duhet të ishte para përgjegjësisë apo nuk e meritonte të ishte në qeverisje.

Hoxha: Kjo aferë duhet të shkojë deri në fund dhe organet e drejtësisë duhet të kishin reaguar më parë.

Ai komentoi edhe bashkimin e votave me mazhorancën për zgjatjen e afateve të komisioneve të vettingut.

Hoxha: Ju e quani rreshtim. E kemi të detyrueshme ta pranojmë që është diçka jo aq e mirë por është një e keqe më e vogël sesa ajo që mund të na presë në të ardhmen nëse nuk do ta kishim votuar pro. Vettingu në politikë është shumë i domodsoshëm. Ka pasur shumë gjyqtarë dhe prokurorë që janë larguar nga sistemi i drejtësisë  për gjëra që në këto 30 vite informalitet në Shqipëri mund ti binin barrë secilit prej nesh.