SHBA u bën thirrje amerikanëve të largohen nga Ukraina, Izraeli evakuon familjarët e stafit të Ambasadës në Kiev
Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi për shkak të "shtimit të rrezikut për veprime ushtarake ruse" kundër Ukrainës.
"Mos shkoni në Ukrainë për shkak të rritjes të rrezikut për veprime ushtarake ruse dhe COVID-19; ata që ndodhen në Ukrainë duhet të largohen menjëherë," paralajmëron Departamenti i Shtetit në udhëzimin për udhëtimet në Ukrainë.
Edhe presidenti Joe Biden përcolli të njëjtin mesazh në një intervistë për televizionin NBC.
"Qytetarët amerikanë duhet të largohen tani. Kemi të bëjmë me një nga ushtritë më të mëdha në botë. Situata ka ndryshuar dhe ngjarjet mund të precipitojnë me shpejtësi", tha ai.
Tërmeti “shkund” Greqinë jug-lindore, ja ku ishte epiqendra
11 Shkurt, 19:56
I pyetur nëse kishte një skenar të mundshëm që mund ta bënte atë të dërgonte trupa për të shpëtuar amerikanët që po lënë vendin, zoti Biden u përgjigj:
"Nuk ka. Do të ishte luftë botërore nëse amerikanët dhe Rusia fillojnë të hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit. Jemi në një botë më të ndryshme nga ç'kemi parë ndonjëherë më parë", tha ai.
Rusia mohon të jetë duke planifikuar një sulm ndaj Ukrainës, por ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në kufirin e saj me vendin fqinj.
Izraeli evakuon familjarët e stafit të ambasadës në Kiev
Izraeli njoftoi të premten se ka nisur evakuimin e familjarëve të stafit të ambasadës në Kiev.
Evakuimi tha se po bëhet për shkak të “përkeqësimit të situatës”, që duket se është referencë për krizën midis Ukrainës dhe Rusisë.
Ministria e Jashtme izraelite po ashtu u bëri thirrje izraelitëve që të shmangin udhëtimin për në Ukrainë, ndërkaq shtetasit që ndodhen në këtë shtet, “të shmangin zonat e tensionit”.
Ky njoftim i Izraelit vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje shtetasve amerikanë që janë në Ukrainë, të largohen menjëherë nga shteti, pas rritjes së kërcënimeve për veprime të ushtrisë ruse.
Rusia ka vendosur mbi 100,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën. Perëndimi thotë se Moska mund të jetë duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm të Ukrainës, por pala ruse mohon se ka plane të tilla.

