“Përkeqëson aksesin në drejtësi”, 9 organizata të shoqërisë civile kundër hartës së re gjyqësore
Harta e Re gjyqësore që parashikon shkrirjen e gjykatave nga 36 në 16 në të gjithë vendin është kundërshtuar nga 9 organizata të shoqërisë civile
Në dokumentin e siguruar nga Ora News, shihet se organet që janë kundër hartës së re gjyqësore janë:
1.Civil Rights Defenders (CRD)
2. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (ADRF)
3. Instituti për Studime Politike (ISP)
4. Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Albania) 5. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ)
6. Qendra Europiane
7. Qendra e Studimit të Politikave Evropiane për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal
8. Komiteti Shqiptar i Helsinkit
9. Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS).
Në dokument thuhet se ky organizim i ri i gjykatave administrative të shkallës së parë do të përkeqësojë aksesin në drejtësi, duke mos e favorizuar qytetarin në raport me vendbanimin, kushtet infrastrukturore të transportit dhe kushtet sociale ekonomike, në të cilat gjendet.
9 organizatat vlerësojnë se propozimi për shkrirjen e 6 Gjykatave të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në një të vetme, përbën një hap i cili nuk është analizuar dhe studiuar në mënyrë objektive dhe të gjithëanshme, mbi bazën e disa kritereve influencues.

