Janari mbyllet me 23 humbje jete në aksidente, shefi i sigurisë rrugore: Problem shoferët e moshave të reja

Muaji janar është mbyllur me një bilanc të rëndë nga aksidentet me 23 të vdekur dhe 182 ngjarje rrugore. Sipas policisë, shoferët më problematikë janë moshat e reja, e ndërsa shkeljet më të përsërituara janë parakalimet e gabuara si dhe përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të mjetit.

Drejtuesit e mjeteve nga mosha 25 deri në 35 vjeç janë më problematikët për policinë rrugore.

Kjo e fundit ka regjistruar 182 aksidente nga fillimi i janarit, ku fatkeqësisht kanë humbur jetën 23 persona.

Sipas shefit të sigurisë rrugore, Skënder Ismaili, shkeljet më të përsëritura janë parakalimet e gabuara dhe përdorimi i telefonit.

"Gjatë kësaj periudhe në shkallë vendi kanë ndodhur 182 ngjarje rrugore me 23 persona të cilët kanë humbur jetën, 19 persona të plagosur rëndë dhe 172 persona që kanë marrë dëmtime të lehta. Kanë qenë parakalimet e gabuara dhe tërheqjet e vëmendjeve, shkeljet të cilat vihen re vazhdimisht në rrugët tona dhe shërbimi i policisë rrugore këtu është përqëndruar."

Nisur edhe nga numri i lartë i aksidenteve polica ka evidentuar edhe akset problematike, të quajtura ndryshe edhe si njolla të zeza.

"Janë përcaktuar 203 vende që paraqesin rrezik për sigurinë rrugore".

Skënder Ismaili sqaron se 16 % e këtyre aksidenteve kanë ardhur si pasojë e sjelljes së gabuar të këmbësorëve.

"Vitin e kaluar rreth 16% e ngjarjeve rrugore ka ardhur si rezultat i shkeljes së rregullave nga këmbësorët. Këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve kanë detyra të ndara por janë të detyruar të respektojnë njëri-tjetrin kur janë në trafikun rrugor."

Një tjetër problem shqetësues për policisë mbeten edhe parkimet dyshe në kryeqytet të cilat bllokojnë trafikun.