Vrasja e Pashko Ujkës, familja ofron 25 mijë euro për këdo që jep informacion për autorin

Vajza e ish-deputetit, Pashko Ujka, që u vra më 29 nëntor 2021  në Shkodër deklaron se familja e saj ka vendosur të japë shpërblim për këdo që jep informacione rreth ngjarjes.

Njoftimi është bërë mbrëmjen e djeshme nga vajza e Pashko Ujkës, Ledisia Ujka, në emisionin "Uniko".

E bija e ish-deputetit ka thënë se familja e saj ofron 25 mijë euro për këdo që ka informacion për autorin e të atit.

Familja Ujka ka vendosur në dispozion edhe numrin +355 67 61 75 086, duke garantuar anonimatin për cilindo qytetar që jep informacione.

Vajza e ish-deputeti thotë se kanë vendosur numrin e tyre personal dhe jo të policisë për arsye se nuk kanë besim.

Ledisia Ujka: Ne kemi vendosur shumën si familje dhe ofrojmë 25 mijë Euro për çdo persona që ka fakte konkrete dhe prova për të gjetur vrasësin e babit tim.

Këto lekë janë lekë që shkojnë për shpirt të tij, për gjak të tij sepse ai ka punuar gjithë jetën dhe ne do bëjmë të pamundurën që të vendoset drejtësia për të. Kemi vendosur numrin tonë sepse ne nuk kemi besim te policia. Policia na ka thënë që 99%, pas 2 javëve, ngjarja në shtet është e zgjidhur.

E kemi nga halli sepse ne kemi kërkuar drejtësi, por e kemi parë që drejtësia nuk është duke u bërë për gjakun e babit tim dhe për këtë arsye ne kemi vendosur të flasim që të zgjidhim këtë çështje që të zbardhet kjo vrasje. Deri sot nuk është bërë asnjë gjë për të gjetur vrasësin e babit tim.

Ne si familje do mundohemi t’i shkojmë deri në fund kësaj drejtësie për të gjetur drejtësi për gjakun e tij.  Me prova, me gjëra çfarë kemi mbledhur, me gjithçka çfarë ne dimë dhe çfarë kemi gjetur.