"Shqipëria më pranë çeljes së negociatave", në Pranverë shansi për tu mbajtur konferenca
Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë më parë pranë mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare, të paktën kështu është shprehur ministrja e punëve të jashtme Olta Xhacka në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian. Pavarësisht progresit, Tabaku vlerëson se ka ende punë për të bërë, por edhe sipas saj procesi i anëtarësimit duhet të avancojë.
Në pranverë është shansi i radhës për avancimin në rrugën evropiane për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Teksa procesi është në ngërç për shkak të vetos bullgare për Shkupin, në Tiranë u mblodh Këshilli kombëtar për integrimin Evropian.
Nënkryetari i këtij këshilli, Taulant Balla u shpreh se ecuria e Shqipërisë vlerësohet si pozitive duke theksuar se ngecja e procesit të zgjerimit lidhet me mosmarrëveshjen mes Sofjes dhe Shkupit.
"Bullgaria e ka bërë shumë të qartë faktin që nuk ka asgjë me Shqipërinë, por ka një çështje që do ta quaja bilaterale me Maqedoninë e Veriut," tha Balla.
Nga ana tjetër kryetarja e këtij Këshilli, Jorida Tabaku tha se vihet re një mungesë e vullnet politik për hapjen e negociatave, duke evidentuar nivelin e lartë të korrupsionit, luftën me krimin e organizuar, pastrimin e parave, kërkesat për azil jashtë vendi, por edhe shit-blerjen e votës.
"Korrupsioni nuk luftohet me planet e integritetit të ministrisë së Drejtësisë, sado pozitivë që ato mund të jetë," tha Tabaku.
Ndërsa për ministren e punëve të jashtme Olta Xhaçka, vendi ynë është shumë pranë mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare
"Shqipëria nuk ka qenë kurrë më parë kaq afër ndërmarrjes së hapit më të rëndësishëm të marrëdhënies me BE-në. Shihet qartë se ky Këshill thekson se pret me padurim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë," tha Xhaçka.
Për kryenegociatorin e Shqipërisë me bashkimin evropian, Zef Mazi ka qenë një proces i vështirë, por për ecurinë e negociatave është punuar dhe me VKM-të, që kanë për qëllim integrimin e vendit tonë BE.
"Javën që vjen do të mblidhet Këshilli i Asocim Stabilizimit midis nesh dhe unionit europian. Janë bërë përgatitjet."
Ndërkohë edhe vetoja Bullgare ndaj Maqedonisë duket se po shkon drejt një zgjidhje, pas takimeve të liderëve politike, të cilët kanë nisur edhe negociatat për gjetjen e një gjuhe të përbashkët.



