Incineratorët, skemë mashtrimi me TVSH-në, Tabaku: Kemi identifikuar kompanitë përmes të cilave qarkulluan paratë
Pronarët e kompanive koncesionare të djegies dhe trajtimit të mbetjeve akuzohen tashmë edhe për krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH-në. Jorida Tabaku në mbledhjen e Komisionit Hetimor deklaroi se janë mbi 14 firma të identifikuara që kanë qarkulluar shuma të mëdha parash.
Mazhoranca socialiste nuk ka pranuar të shtyjë afatet e punës së Komisionit Hetimor për incineratorët, por aktualisht mandati i tij do të përfundojë në 25 shkurt.
Në rinisjen e diskutimeve, opozita risolli në vëmendje shkeljet e konstatuara në fituesin e koncesionit të Fierit.
Tabaku: Lidhja e një kontrate 3 milion euro më të shtrenjtë ndërkohë që mund të ishin zgjedhur alternativa të tjera.Ndryshimi tre herë i pronës, përdorimi i një prone private kur kishte një pronë publike, përdorimi i fondeve të OST-së pa asnjë lidhje ndërkohë që bashkia e Fierit kishte sjellë një shkresë me një përgjigje që fondi do të mbulohej nga bashkia e Fierit, 411 mln lekë të tjera dëm dhe kjo pronë bujqësore shpronësohet me çmimin dyfish më të lartë.
Madje Jorida Tabaku akuzon se subjekti është përfshirë në skemë mashtrimi me tatimin e vlerës së shtuar.
Tabaku: Në skandalin e TVSH-së fiktive. Xhironte fatura TVSH-je të paktën me 15 kompani, të cilat ne i kemi të identifikuara, për të justifikuar pagesat që merrte.
Përkundrejt kësaj, përfaqësuesja socialiste ngarkoi me përgjegjësi Ministrinë e Mjedisit por sqaroi dhe një sërë ligjesh të miratuara para kontratave. Madje ajo i lidh marrëveshjet me integrimin.
Felaj: Qeveria shqiptare kuptoi që exdhe çështja e integrimit ishte e lidhur me çështjet mjedisore.
Për Felajn, Fieri miratoi dhe emergjencën mjedisore.
Felaj: Duhej domosdoshmërisht të ndërtohej dhe në këtë qytet për fakt të emergjencës shëndetësore që kishte.
Duket se palët do të shkojnë në përfundim me dy raporte, një me akuzat prej opozitës dhe një me domosdoshmërinë e incineratorëve.
Tabaku: Kur flitet për kompaninë që bën një kërkesë me një lehtësi të jashtëzakonshme ne duhet të kujtojmë që janë tre kriminelë në kërkim sot, hetim ndërkombëtar. A është pronar përfitues Arben Ahmetaj me miqësinë e tij me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin? A janë pronarë përfitues në këtë rast shumë përfaqësues të tjerë të qeverisë?
Tashmë deputetët kanë nisur dhe inspektimin në terren të situatës së investimeve, teksa javën e ardhshme kryeministri, ministra, kryebashkiakë e zyrtarë të tjerë të lartë do të japin dëshmitë e tyre.


