Boçi: Fakte për aferën e incineratorëve, mazhoranca do tentojë t’na pengojë. Incineratori i Elbasanit jo efiçent
Deputeti i PD, Luçano Boçi është shprehur se Komisioni Hetimor që është ngritur për aferën e incineratorëve ka paraqitur faktet për incineratorin e Fierit, ndërkohë që do të paraqesë dhe fakte për incineratorin e Elbasanit dhe Tiranës.
Në një intervistë për Ora Neës, Boçi u shpreh i bindur se mazhoranca do të nxjerrë pengesa për të penguar paraqitjen e fakteve në lidhje me aferën e incineratorëve.
Luçiano Boçi: Komisioni ka paraqitur faktet për incineratorin e Fierit, nesër është me Elbasanin pastaj me Tiranën. Ndërkohë grupet nga Komisioni Hetimor do të kryejnë edhe vizitat përkatëse në incineratorin e Fierit dhe Elbasanit. Një shtyrje afatesh pas datës 25 shkurt e gjykoj se është e domosdoshme, po do shihet në vazhdimësi.
Nuk kam dyshime te mazhoranca që do nxjerre pengesa për të penguar paraqitjen e fakteve, publicitetin e një korrupsioni, mega-korrupsioni që ka shumë aktorë brenda, por kryesisht aktorin kryesor qeveritar që është Kryeministri që është fshehur pas argumenteve bosh.
Ndër të tjera ai tha se në incineratorin e Elbasanit nuk bëhet puna që u pretendua, ndërsa shtoi se ky incinerator aktualisht nuk është efiçent.
Luçiano Boçi: Procedura që është ndjekur për transparencën e shpenzimit të parave publike, në një koncesion të çuditshëm PBB me ofertë të pa-kërkuar, ku paratë i jep qeveria dhe jo investitori, ku paratë jepen pa kryer punimet, i referohem incineratorit të Elbasanit, nuk prodhohet energji që u pretendua.
Në rastin konkret ai nuk është efiçent sepse sasia e mbetjeve nuk është në kapacitetet që ai përballon. Domethënë incinerator i Elbasanit ai është ngritur me një qëllim shumë të paqartë për sasinë e mbetjeve.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini
