Veliaj 240 mijë $ pa garë. Open Data i vendos sërish flamur të kuq, u skualifikua oferta më e ulët

Shpenzimeve të tepruara të Bashkisë së Tiranës për këshilla dhe propaganda i shtohen dhe tenderat për krijimin e softwerëve. Pas 100 mijë dollarëve të hedhura për formën e rekrutimit, bashkia ka vendosur të shpenzojë dhe 250 mijë dollar, këtë rradhë për të krijuar një database të të dhënave.

Por jo vetëm kjo, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj ka vendosur të skualifikojë nga gara kompaninë që ka kërkuar 30 mijë dollarë më pak për të kryer të njëjtën punë. Arsyeja mbetet e njëjta, vendosja e kritereve të qepura me porosi.

Sipas dokumenteve zyrtare kompania "31 solution" ka paraqitur licensat e kërkuara madje eksperti rezulton edhe me masterin përkatës. Por bashkia ka shkuar edhe më tej duke specifikuar dhe kush duhet të ketë çertifikuar dokumentet e tij.

Si pasojë në garë ka mbetur vetëm "Inet solution" me aksioner Erton Gracenin.

Sipas dokumentit objektivi i përgjithshëm i projektit nga i cili kjo kontratë do të jetë pjesë, ka krijimin e një platforme që të shërbejë si një “Bankë të dhënash” për çdo strukturë të Bashkisë Tiranë, njësive administrative, dhe institucioneve të varësisë.

Platforma do të shërbejë si një depozitues të dhënash, aspekteve metodologjike dhe notave shpjeguese të informacionit të hedhur.

Për shkak të mungesës së garës apo dhe të formës së skualifikimit, Open Data Albania e ka renditur tenderin me flamur të kuq, duke sinjalizuar problem me procedurat e ndjekura.