Ngjarjet kriminale pa autor, zv/drejtori Vathi: Krimi është sofistikuar, nuk lënë gjurmë

Autorët e veprave penale të krimit të organizuar janë sofistikuar duke lënë gjithnjë e më pak gjurmë në vendngjarje. Kjo e ka vështirësuar punën identifikuese të policisë, ndërkohë që zëvëndësdrejtori për Sigurinë Publike, Luigj Vathi, thekson se pas krimeve të ndodhura në muajin e parë të vitit policia ka përforcuar kontrollet dhe masat parandaluese.

Ngjarjet kriminale të shtuara në muajin e parë të vitit janë bërë shkak që policia të jetë më vigjilente dukë shtuar patrullat në zonat më problematike, të cilat kanë si qëllim parandalimin e krimeve dhe evidentimin e personave me rrezikshmëri të lartë dhe atyre që lëvizin më armë zjarri.

Zëvëndësdrejtori për Sigurinë Publike, Luigj Vathi, në një intervistë për Ora News tha se vitet e fundit policia është përballur me sofistikimin e krimit ku autorët nuk lënë gjurmë identifikuese.

Luigj Vathi: Duhet të pranojmë që sot krimi është sofistikuar, ngjarjet i bëjnë me shumë kujdes, i dinë shumë mirë hyrje-daljet e Tiranës që nuk kontrollohen apo nuk mund të kontrollohen nga policia, duke shfrytëzuar makina dhe targa të vjedhura.

Nisur edhe nga shifrat e punonjësve të policisë të përfshirë në ngjarje kriminale, zëvëndësdrejtori u shpreh se po punohet në çdo strukturë për verifikimin e këtyre rasteve.

Luigj Vathi: Nuk përjashtohen raste të veçanta që mund të kemi dhe persona të tillë por që edhe vetë ne mund ti kemi larguar nga organizata jonë por edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me ne ka pasur raste që kanë marrë drejtimin e duhur.

Nga fillimi i vitit janë regjitruar një sërë ngjarje të rënda kriminale, ndërsa hetimet kanë mbetur në vëndnumëro për shkak të pamjaftueshmërisë së provave të mbledhura në vendin e krimit.