Studentët pa bursa që prej nisjes së vitit akademik, në frikë se do t'u anulohen si fondi i ekselencës

Ministria e Arsimit dhe e Financave kanë vonuar me katër muaj pagesën e bursave për studentët. Të vendosur në vështirësi për përballimin e shpenzimeve, të rinjtë thonë se kanë frikë se do kenë fatin e ekselentëve, për të cilët Qeveria anuloi fondin në rast se nuk kthehen në Shqipëri.

Katër muaj pas nisjes së vitit akademik, studentët thonë se Ministria e Arsimit nuk u ka dorëzuar ende pagesën e bursave të studimit në universitetet shqiptare. 

Kjo situatë i ka shtyrë ata të mendojnë se mund të kenë të njëjtin fat si studentët ekselentë që shkojnë për të studiuar jashtë, për të cilët Qeveria shqiptare hoqi fondin e ekselencës.

"Nuk mendoj se është një vendim i duhur nga ana e kryeministrit Rama por absolutisht dhe studentët shqiptarë nuk duhet të penalizohen për këtë fakt. Që nga muaji nëntor deri tani nuk kanë dalë akoma."

Aktivisti, Rigels Xhemollari, tha për Ora News se arsyeja pse të rinjtë nuk kthehen në Shqipëri pas studimeve jashtë, janë kontratat.

"Tu thuash bursantëve, që janë edhe pjesë e amdinistratës tënde, turp pse nuk ktheheni, është një dështim institucional."

Një tjetër arsye psë të rinjtë nuk kthehen është edhe mungesa e perspektivës së punësimit.

"Nëse shteti nuk u ka garantuar punë, ata kanë të drejtën për të ikur nga vendi."

Ata thonë vendimi për heqjen e bursave të ekselentëve që studiojnë jashtë është i drejtë vetëm në rast se Qeveria angazhohet të derdhë në kohë pagesat për studentët shqiptarë.

"E mira është që të paguhen këta që janë këtu nga shteti jonë."

Keqmenaxhimi i fondit të bursave është një problematikë e përsëritur që prej vitit 2018.

Ministria e Financave, përgjegjëse për këtë, duhet ti akordojë bursat e studentëve në kohë, pasi ata vendosen në vështirësi ekonomike për të përballuar shpenzimet e studimit.