"Dënimi i Tahirit vërtetoi drejtësinë e kauzës tonë", Basha: E kanabizoi vendin me bekimin e Ramës

Lulzim Basha ka zhvilluar një takim ditën e sotme, 7 shkurt me demokratët e degës 6 në Tiranë. Ai akuzoi Ramën se në 8 vite qeverisje ka vrarë shpresën e shqiptarëve he tha se Partia Demokratike është e bashkuar për të luftuar këtë regjim.

Basha: Ne këtu jemi një grupim vlerash, ne jemi këtu një grupim besimesh, ne jemi këtu një grupim idealesh, ne jemi këtu një grupim parimesh që quhet Partia Demokratike e Shqipërisë. Nuk ka dy, ka vetëm një Parti Demokratike të Shqipërisë. Është ajo Parti Demokratike që nuk reshti së denoncuari prej ditës së parë aferat e Saimir Tahirit si ministër i Brendshëm. Njeriut që nga njëra anë shtypte dhe përdhoste kundër ligjit të drejtat e të gjithë shqiptarëve, e në veçanti të demokratëve në Kombinat, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë dhe nga ana tjetër ishte në krye të operacionit të kanabizimit të vendit, një proces që ne e kemi denoncuar prej ditës së parë dhe që i ka sjell të zeza dhe vetëm fatkeqësi vendit dhe familjeve shqiptare dhe prindërve shqiptarë të qindra mijëra bijve të tyre këtu dhe jashtë vendit. E pra, sot jemi bashkë këtu, ndërkohë që Sajmir Tahiri është dënuar dhe ndodhet në qeli. Që vërteton drejtësinë e betejës tonë, drejtësinë e kauzave tona.

Ai u ndal edhe te afera e incineratorëve.  

Basha: Të njëjtën gjë kemi bërë me inceneratorët, djegësit , që ta përkthejmë shqip, djegësit. Dy ekzistues, Elbasani dhe Fieri, ekzistues në kuptimin që kanë karabinanë, dhe një që as nuk duket fare këtu në Tiranë, që në fakt çfarë djegin? Djegin paratë e shqiptarëve! 430 milionë euro aferë, kemi 5 vite e kusur që e denoncojmë, ditë për ditë, nganjëherë javë me rresht, në konferenca live për shtyp, sepse e dinim që kur vinte ora e lajmeve, do i fusnin gërshërët dhe do ta censuronin.

Basha vijoi më tej me akuzat duke thënë se Saimir Tahiri mund ta kanabizonte Shqiëprinë vetëm me bekimin e Edi Ramës.

Basha: Kush prej jush këtu beson se Saimir Tahiri mund ta kanabizonte Shqipërinë, pa bekimin, pa dijeninë, pa ndihmën dhe pa përfitimin e Edi Ramës? A ka shqiptar që e beson?

Basha tha se të vetmet vepra të Ramës janë korrupsioni, kriminalizimi dhe kanabizimi.