Berisha në fushatë edhe pse "non grata", Soreca: Nuk komentoj zhvillimet e brendshme të një partie

Ambasadori i Be-së, Luigi Soreca nuk pranoi që të komentonte zhvillimet e brendshme në PD. Nga Korça ku ndodhej së bashku me ministren Krifca në kuadër të fushatës "Evropa është këtu" ai u pyet për aktivitetin e Sali Berishës dhe pjesëmarrjen në fushatë edhe pse është shpallur "non grata."

Soreca: Më lejoni të mos komentoj për zhvillimet e brendshme të një partie. Ne kemi ndjekur dhe vijojmë të ndjekim parimin e mosndërhyrjes. Do ketë dhe zgjedhje në të ardhmen. Në të njëjtën kohë vazhdojmë punën tonë duke biseduar me të gjitha forcat politike në vend edhe sa i përket çështjes së vettingut.

Ndërkohë ambasadori përsëriti thirrjen për votimin e zgjatjeve të afateve të vettingut, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Soreca: E dini që qëndrimi i BE është e qartë, në fakt që në nëntor zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe i vettingut është tejet i rëndësishëm për vendin. Kjo u konfirmua edhe nga Komisioni i Venecias ku nuk u identifikua ndonjë problem për zgjatjen me dy vite, dhe është e rëndësishme që të sigurohen të njëjtat standarde për vettingun e gjyqtarëve. Votimi për zgjatjen e afateve të vettingut është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.