Dënimi i Tahirit, Soreca: Nuk komentoj për procedura, po shohim sinjale të mira

Ambasadori i BE në Shqipëri nuk e komentoi direkt dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por tha se disa nga vendimet e fundit të sistemit të drejtësisë tregojnë konsolidimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa shtoi se Bashkimi Europian pret më shumë në këtë drejtim.

Soreca: Nuk e kam zakon të bëj komente për procedura në vijimësi apo për çështje specifike. Por po të shihen disa nga vendimet e fundit të gjykatave dhe prokurorisë atëherë shihet edhe një pavarësi më e madhe e gjyqësorit. Ky është lajm i mirë për konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë. Shikojmë sinjale të mira nga puna e gjyqtarëve dhe e prokurorëve. A mjafton kjo? Jo ne presim edhe më shumë nga të gjitha ato institucione që janë të përfshira në sistemin e drejtësisë.

Për Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, vota pro zgjatjes së mandatit të vettingut është një akt për integrimin e Shqipërisë në Union.

Soreca: Votimi për zgjatjen e afatit të Vettingut dhe të ndryshimeve kushtetuese është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të qarta në qëndrimet e tyre lidhur me politikën e personave të shpallur "Non Grata", Bashkimi Europian duket se mban tjetër qëndrim.

I pyetur në Korçë nga Ora News për aktivitetin politik të ish-kryeministrit Sali Berisha, ambasadori i Bashkimit Europian tha se nuk komenton zhvillimet e brendshme në partitë politike.

Soreca: Ne kemi ndjekur dhe vijojmë të ndjekim parimin e mosndërhyrjes. Do të ketë edhe zgjedhje në të ardhmen. Ne vazhdojmë punën tonë duke biseduar me të gjitha forcat politike në vend për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit e në veçanti edhe për zgjatjen e Vettingut

Ambasadori i BE i bëri këto deklarata nga Korça, ku dha mbështetjen për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri.