A do shkarkohet Ilir Meta? Gjykata Kushtetuese tërhiqet për vendim, ka 30 ditë afat. Presidenti padit në Prokurori Kuvendin
Brenda 30 ditëve, Gjykata Kushtetuese do të vendosë fatin e Ilir Metës për postin e tij në Krye të Shtetit.
Janë nevojitur 3 seanca gjyqësore që Parlamenti dhe Presidenca të shterojnë argumentat mbrojtëse dhe paraqitjen e provave për sjelljen e Metës gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Kuvendi i përfaqësuar nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve i kërkoi Kushtetueses që të votojnë pro vendimit të 7 qershorit të 2021 të Parlamentit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, me argumentin se me sjelljen e tij ka mbajtur anë kundër PS duke orientuar votën e qytetarëve, si dhe ka cënuar marrëdhëniet e vendit tonë me ndërkombëtarët.
Këto akuza u cilësuan si të papajtueshme me ligjin nga mbrotja e Kreut të Shtetit, duke kërkuar nga Kushtetuesja shfuqizimin e vendimeve për shkarkimin e Presidentit.
Përfaqësuesi ligjor, Bledar Dervishaj, pretendon se Kuvendi ka shkelur të gjitha procedurat parlamentare,duke i mohuar të drejtën Presidentit për t’u dëgjuar dhe sipas tij veprimtaria e Komisionit Hetimor u krye në periudhën e tranzicionit të legjislaturës së 9 të parlamentit, në 4 muajt e fundit që ndalohet kontrolli parlamentar.
Dervishaj refuzoi kërkesën e Gjykatës Kushtetuese t’i përgjigjej me gojë 72 pyetjeve të bëra me 3 shkurt nga gjyqtarët, por provën me të cilën zyra juridike e Presidentit pretendon se vërteton shkeljet e procedurave e bëri publike në institucionin e Kreut të Shtetit.
"Rendi i ditës përcakton që urdhri është nr 19 me datë 06.05.2021 dhe jo 05.05.2021 siç ka depozituar Kuvendi. Seanca plenare është caktuar në më pak se 24 orë ndërkohë që detyrimi është 48 orë."
Këtë fakt e pranoi edhe Drejtoresha Juridike e Kuvendit, që urdhri nga Kryetari i Kuvendit është bërë me datën 6, por me justifikimin që është një vonesë e IT.
Fakti qëndron se në faqen zyrtare të Kuvendit, kryetari Gramoz Ruçi ka thirrur seancën plenare me datën 6 maj të 2021, ku në rend dite është edhe miratimi i raportit të Komisionit të Ligjeve.
Por këtë veprim të Parlamentit, Presidenca nuk e cilëson vetëm si shkelje proceduriale, por si një falsifikim të dokumentave zyrtare.
Për këtë arsye beteja Presidenti-Parlament do të zhvendoset në organin e akuzës për falsifikim dokumentash.
"Presidenti ka vendosur ti drejtohet Prokurorisë për manipulimin e provës shkresore të sjellë nga Kuvendi i Shqipërisë me 4 shkurt 2021."
Për këto akuza nuk ka asnjë reagim nga ana e Parlamentit, por Taulant Balla u shfaq i kënaqur nga procesi, pavarësisht se ende nuk ka një vendim të Kushtetueses.
"Çdo deklaratë e imja apo e kolegëve të mi apo çdo pale tjetër të përfshirë në proces nuk do ti bënte mirë çuarjes deri në fund të një procesi që unë e quaj një festë për demokracinë."
Çfarë ndodhi në seancën e sotme në Kushtetuese (7 shkurt), zhvillimet orë pas ore
14:00 Presidenti Ilir Meta padit në Prokurori Kuvendin
"Ky skandal shumë i rëndë, duhet të marrë menjëherë përgjigje ligjore!" shkruan presidenti në një postim në facebook.
Në përfundim të seancës gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, përfaqësuesi i presidentit Ilir Meta, Bledi Dervishaj deklaroi se presidenti do ti drejtohet prokurorisë pasi Kuvendi depozitoi prova shkresore të manipuluara vetëm që të rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit.
Bëhet fjalë për një provë shkresore të datës 4 shkurt 2021 të dorëzuar nga Kuvendi.
“Kur ndodh kjo në një proces kaq me rëndësi si shkarkimi i presidentit, imagjino çfarë mund të mendojmë ne se çfarë ndodh me organet e tjera që trajtojnë të drejtat dhe liritë themelore.
Presidenti ka vendosur ti drejtohet organit të prokurorisë, ashtu si kuvendi është në të drejtën e tij të nisë një procedurë hetimore parlamentare për këtë shkak që evidentuam dhe është në të drejtën e gjykatës të marrë vendim që të jetë I bazuar në vendim.”
Bëhet fjalë për një shkresë për thirjen e seancës plenare për shkarkimin e Presidentit.
13:00 Konkluzionet e Presidences
Pjese nga fjala e Përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledi Dervishaj
Parlamenti e gëzon të drejtën e hetimit por ky proces duhet të bazohet në Rregullore dhe Lushtetutë. Ky proces nisi dhe përfundoi në bazë të urdhërit politik dhe në mungesë të lëndës juridike. Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje, dhe aq më pak të rëndë, kushtetuese
Shkeljet proceduriale kanë qënë të shumta, të vazhdueshme dhe të pambulueshme nga ana e Kuvendit , çka e bënë këtë vendim nul. Kryetarja e komisionit të ligjeve nuk ka tagër që të marrë përsipër vullnetin e deputetëve të legjislaturës së 9.
Provat e marra nëpërmjet një procesi jo ligjor, janë të papërdorshme dhe produkti i bazuar mbi to është i pavlefshëm. Ne pretendojmë pavlevfshmëri të vendimit. E drejta për t’u dëgjuar nuk mund të zëvendësohet. Shkelja e procedurës ka vendosur një standard të rrezikshëm dhe gjykata duhet të shprehet. Nuk mund të shkelet kurrë procedura për interesa politike.
Veprimtaria e presidenit ka qënë mbi palët, pasi ka sensibilizuar fort autoritetet dhe forcat politike për një proces të rregullt zgjedhor. Ai kurrë nuk ka mbajtur anë. Meta ka kritikuar edhe lidershpin e opozitës për bojkotet parlamentare dhe mospjesmarrjen e zgjedhjeve. Meta ka bërë thirrje dhe ka nxitur palët për të respektuar arrëveshjen e 5 qershorit. Angazhimi i presidenit për mbrojtjen e procesit zgjedhor janë të faktuar në provat që kemi depozituar.
Opinionet e Presidentit nuk mund të censurohen nga askush, por natyrshëm edhe tonalitetit emocionale janë një e drejtë e ushtrimit të fjalës. Thirrjet e presidentit për mbrojtjen e votës janë në kontribut i shtuar për procesin e rregullt zgjedhor. Kushdo që donte ta shihte presidentin pasiv ndaj vjedhjes së parave publike apo përdorjen e administratës në zgjedhje mbështet vendosjen e diktaturës.
Ora 12:15 Rinis seanca, lexohen konkluzionet përfundimtare, Kuvendi: Të shkarkohet
Rinis seanca në Gjykatën Kushtetuese
Maxhoranca lexon konkluzionet përfundimtare ku kërkon shkarkimin e presidentit Meta.
Klotilda Bushka: Kuvendi vlerëson se Presidenti ka shkelur rëndë Kushetutën. I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e Ilir Metës. Me anë këtij vendimi të vendosen standarde që askush të mos shkelë Kushtetutën. Është shkelur rëndë neutraliteti i fushatës zgjedhore, pasi ka mbajtur anë në fushatën zgjedhore duke dalë kundër mazhorancës.
Ka kërkuar që të votohet ndryshimi me 25 prilli. Presidenti është betuar se do t’i bindet kushtetutës, por këtë betim e ka shkelur duke kryer veprime haptazi si të ishte palë në zgjedhje. Sjellja e Metës ka qënë aktive dhe duke dhënë mesazhe publike kundër një force politike duke ndikuar në bindjen e votuesve. Ndërhyrje e pajustifikuar në të drejtat e njeriut, duke denigruar PS dhe kandidatët e saj. Presidenti ka vepruar në tejkalim të kompetencave për të përfaqësuar veten me politikën e jashtme. Ka ndërmarrë sulme kundër përfaqësuesve të huaj në Shqipëri.
Ka ndërhyrë në kompetencat e organit të prokurorisë, duke ndërhyrë në autonominë vendore (frd-bashki) dhe duke sulmuar gjyqtarët, ndërhyrje në punën e KQZ dhe policisë. Ka ndërhyrë në kompetencat kushtetuese duke lavdruar dhe kritikuar anëtarët e kësaj gjykate.
Meta ka përdorur një retorikë dhune, si një mjet për zgjidhje në zgjedhje, me gjuhë përçarje dhe urrejtje. Veprimet e tij e kanë përshkallëzuar krizën.
Ora 11:30 Gjykata Kushtetuese kalon në diskutimin përfundimtar, seanca rinis në orën 12:00
Dervishaj kërkon një orë kohë për të kaluar në konkluzionet përfundimtare nga palët
GjK tërhiqet, u jep një orë kohë palëve.
Drejtoresha e shërbimit juridik të Kuvendit: Urdhri ka dalë me dt 6.
Balla: Edhe pse është shkelur neni 31 i rregullores, këtë e rregullon neni 112. Prandaj kryetari i kuvendit ka qenë i detyruar ta përfshinte në rendin e ditës.
Bushka: presidenti ka të drejta por edhe detyrime. Po e thërriste kuvendi i Shqipërisë, për të cilin tha nuk e njoh.
Ora 10:46 Nis "beteja" në Kushtetuese për shkarkimin e Metës, debat Dervishaj-Bushka: Të kalojmë në pikën e vendimit
Tusha: Përgjigju pyetjeve.
Dervishaj: Përgjigjet i keni me shkrim.
Tusha: Ne duam t’i dëgjojmë.
Dervishaj: Lexojini dhe GJK të marrë kohën e vet që të njihet me përgjigjet.
Tusha: Ju zgjidhni të mos përgjigjeni. Kush do ta marrë rolin e leximit të përgjigjeve. Gjykata ju dha kohë. Nëse nuk do t’i sillnit me shkrim nuk përbënte pengesë.
Dervishaj: Nuk kemi asnjë qëllim të pengojmë gjykimin. Po ndjekim procedurën e kuvendit. Kërkoi 2 orë, erdhi dha përgjigje gjysmake, pak ditë më vonë solli përgjigjet me shkrim. Të gjitha pyetjet e gjykatës kanë marrë përgjigje nga presidenti. Provat e reja ua vendosa me video në seancë. Gjykata duhet t’i marrë në shqyrtim.
Bushka: 1. ligjet ndjekin të njëjtin standard ne 2021 si në 2019. Presidenti është vënë në dijeni dhe më pas ka kthyer përgjigje
2. Fjalimet publike të Kryeministrit Edi Rama janë politike. Nuk u kërkua në atë kohë mocion besimi apo mosbesimi për këtë sjellje. Këto deklarata nuk kanë lidhje me çështjen që po shqyrtohet. Nuk mund të shërbejnë si justifikim dhe duhet të cilësohet si sjellje e pavlefshme.
3. Retorika për procedurën parlamentare, e qëllimshme për të ngatërruar
4. T’i jepet fund seancës gjyqësore dhe të kalojmë në pikën e vendimit.
Ora 10:41 Dervishaj: Ndërhyrja e Presidentit në zgjedhje legjitime, kryeministri e ka sulmuar në çdo dalje
Dervishaj: Jemi në seancën e tretë te kësaj çështjeje. Presidenca parashtroi përgjigjet e saj. Edhe Kuvendi i dorëzoi me shkrim. S'u përgjigj brenda 2 orësh. Se ishte në pamundësi. Përgjigjet ne i kemi hartuar me shkrim. I depozitoj para gjykatës përgjigjet me shkrim të presidentit. Duke u ndalur tek disa prova të reja që kanë ardhur nga Kuvendi dhe presidenti. Dua të anatemoj vërtetësinë e provës nga Kuvendi, ka ardhur te premten me urgjencë, ndërkohë që punonim mbi pyetjet. Bëhet për të hedhur poshtë pretendimet e presidentit. Kjo është urgjenca, ne e kuptojmë. Por kuvendi s'mund të ndërhyjë të prova, te vërtetësia e saj.
Me datë 4 shkurt Gjykata na dërgoi një shkrese të Kuvendit. Që prej datës 1 korrik i jemi referuar nr të kryetarit 06.05.2021 dhe jo 05.05.2021 siç e përcjell Kuvendi. Është në format me nënshkrimin e kryetarit.
Nuk mund të caktohej data 7 për mbledhjen e Kuvendit, sepse raporti nuk ishte formësuar. Nëse do të krahasojmë pikën 20 të urdhrit të kryetarit, me pikën 20 të rendit të ditës, edhe titulli ndryshon. Kjo vë në dyshim të fortë vërtetësinë e provave të sjellë. Gabimi më trashanik është urgjenca sesi është sjellë kjo provë e Kuvendit, e cila nuk është e vërtetë, por ka si qëllim të hedhë poshtë atë çka pretendon presidenti.
Ndërhyrja e presidentit në zgjedhje.
Dervishaj: Presidenti ka komunikuar me letër me Komisionerin shtetëror, ku kërkonte që i gjithë kabineti i presidentit të marrë pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve.
Celibashi i bëri me dije të presidentit që se bashku me kabinetin e tij mund të merrte pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Prandaj ndërhyrja e presidentit në vëzhgimin e ligjeve ishte legjitime. Kryeministri në çdo dalje të tij publike ka anatemuar dhe sulmuar kreun e shtetit. Këto sulme janë normale? Kushtetuese?
Ora 10:19 Nis "beteja" në Kushtetuese për shkarkimin e Metës, Dervishaj: Kam marrë laptopin për të shfaqur prova
Përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj ka shkuar në Gjykatë i përgatitur me prova dhe fakte.
Dervishaj: Kam marrë me vete laptopin për të shfaqur prova dhe fakte të videove.
Tusha: Mund t’ju vëmë në dispozicion laptopin e Gjykatës.
Bushka: Është për pyetjet apo për gjë tjetër? Me provat shtesë kërkojmë të hedhim poshtë pretendimet e Presidentit për anën proceduriale të hetimit.
Dervishaj: Urdhri për seancë plenare ka qenë në datën 6.05.2021 jo 05.05.2021 siç pretendon Parlamenti. Dyshime të forta për vërtetësinë e dokumentit të sjellë nga parlamenti. Ngado që ta kthejë parlamentit, shkeljet janë kudo.
Dervishaj: Me datë 24 prill i kërkon Celibashit qe kabineti i tij të përfshiheshin si vëzhgues në zgjedhje. Kryekomisioneri në përgjigjen e tij, nuk e pranoi këtë kërkesë.
Dervishaj: Ky është komisioni i dytë hetimor kundrejt Presidenit. Në 2019 i njëjti komision ligjesh dhe i njëjti kryetar (Ulsi Manja) i bënte thirrje formalisht edhe me një letër të gjatë Kreut të Shtetit për t’u dëgjuar në Seancë. Në 2021 kjo praktikë nuk u ndjek, duke shkelur standardin e vendosur nga vetë ai.
Më 3 shkurt Presidenca paraqiti një dosje prej 140 faqesh ku vihej në pikëpyetje legjitimiteti i Parlamentit që shkarkoi Presidentin, ndërsa mazhoranca socialiste u akuzua për hakmarrje politike. Parashtrimet e Presidencës nuk bindën trupën gjykuese e cila ju drejtua me një sërë pyetjesh. Ditën e enjte, 3 shkurt përfaqësuesi i Presidentit, kërkoi 48 orë kohë, për të përgatitur përgjigjet për 72 pyetjet që i drejtuan gjyqtarët.
