Ofensiva diplomatike për Ukrainën / Kancelari Scholz në Washington, Presidenti Macron në Kremlin

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka mbërritur në Washington këtë fillimjavë për të diskutuar kokë më kokë me presidentin Joe Biden për strategjitë që do të ndiqen për rastin e Ukrainës.

Qeveria gjermane tha kancelari është e vendosur për një përgjigje të fortë në rast se Rusia do të ndërmarrë një ofensivë ushtarake për pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës.

Gjermania është një aleate e rëndësishme e Amerikës në NATO dhe në Europë, pasi aty ndodhen edhe baza të rëndësishme ushtarake amerikane për Europën dhe Afrikën, ndërsa ka pasur më herët, gjatë presidencës Trump, një krisje të marrëdhënieve mes dy aleatëve.

Ky është udhëtimi i parë i kancelarit të ri gjerman drejt Washingtonit, ku fokusi qëndror është edhe te projketi energjitik miliarda dollarësh mes Gjermanisë dhe Rusisë, Nord Stream 2. Më pas, kancelari gjerman Scholz do të udhëtojë në Kiev dhe Moskë më 14 dhe 15 shkurt.

Ndërkohë, presidenti francez Macron ka mbërritur këtë të hënë në Moskë për të diskutuar me homologun Vladimir Putin, kokë më kokë, për situatën në kufirin me Ukrainën.

Presidenti francez beson se mund të japë "një zgjidhje historike" për krizën. Moska e ka mirëpritur vizitën, duke thënë se do të dëgjonte idetë e presidentit francez, por i hodhi poshtë pritjet për një përparim.

Amerikanët po përgatiten në dy fronte për situatën në Ukrainë. Ata kanë dislokuar trupa në krahun lindor të NATO-s ndërsa kanë vënë theksin se kërkojnë një zgjidhje diplomatike për situatën. Rusët kanë stacionuar mbi 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën, por mohojnë të kenë synim pushtimin e fqinjit.