Rrugë e re, problem i vjetër, punimet te "Agim Prodani" në Tiranë lihen pas dore

Problemi i rrugëve të cilat nisin punimet dhe nuk i përfundojnë ato, është një situatë e përsëritur shpesh në rrugët e kryeqytetit. Bashkia e Tiranës ka lënë pas punimet edhe në rrugën "Agim Prodani" në lagjen e Kinostudios. Prej kohësh rruga është në punime dhe gropat e mëdha të hapura në të rrezikojnë banorët edhe për shkak të mungesës së ndriçimit.

Rruga “Agim Prodani” në zonën e ish-Kinostudios, prej dy muajsh është në këtë gjendje për shkak të punimeve.

Gropat e hapura këtu janë kthyer në shqetësim jo vetëm për banorët e zonës por edhe automjetet të cilat kanë vështirësi për të kaluar.

Ata qe kalojnë aty çdo ditë tregojnë se rruga prishet pas çdo restaurimi.

"Kjo rrugë që kur kemi ardhur ne para 25 vitesh dhe sot prishu, ndrequ."

"Copë-copë."

"Që nga makina, ne, fëmijët ndjejmë shqetësim. Ka kohëzgjatje më shumë seç duhet në procedurën e punës."

Veç gropave, problem tjetër është edhe mungesa e ndriçimit.

"Nuk ka ndriçim, është rrugë pa ndriçim, me baltë."

Ende nuk dihet se sa kohë do të zgjasin këto punime.

"Na kanë thënë që do vijnë ta rregullojnë shpejt, është dhe shumë afër e përballë ministrisë së Kulturës, që duhet të jetë shembull."

Kjo është një problematikë e hasur shpesh në rrugët e kryeqytetit, punimet e të cilave Bashkia e Tiranës i lë pas dore.