Pas dënimit Saimir Tahiri qëndron në sallë, pritet transferimi i tij në ambientet e burgut
Gjykata Kundër Krimit të Organizuar ka dhënë ditën e sotme vendimin kundrejt ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri duke e dënuar me 3 vite e 4 muaj burg.
Trupa gjykuese ka lënë në fuqi vendimin e parë të dhënë ndaj ish-ministrit më herët, por ka hequr konvertimin e viteve të burgut me shërbim prove.
Ish-ministri e ka marrë me buzëqeshje vendimin e gjykatës, së paku në kamerat dhe ka qëndruar në sallë duke pritur gjithë zbardhjen e procedurën e gjykatës.
Nuk dihet akoma nëse ndaj ish-ministrit Tahiri do të ekzekutohet sot arrestimi dhe të shkojë në ambientet e burgut apo në një moment tjetër.
Kujtojmë se ish-ministri Saimir Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Ai akuzohet se ka favorizuar dhe ka bashkëpunuar me grupin “Habilaj” në trafikim droge në periudhën 2013-2015 kur ishte ministër.

