Kryemadhi: Kostot e inceneratorëve të fryra për të vjedhur TVSH-në, SPAK të gjej forcën për drejtësi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka bërë një postim në Facebook lidhur me aferën e inceneratorëve.

Kryemadhi shkruan se kostot e inceneratorëve janë fryrë nga kompani fiktive që janë të angazhuara në vjedhjen e TVSH-së

Kryemadhi shton se prandaj kryeministri Rama vijon të paguajë inceneratorët dhe i bën thirrje SPAK-ut të gjejë forcën t'i shërbejë interesit të qytetarëve.

Kryemadhi: Ja se si Rama ka krijuar mekanizmin për të fryrë kostot e inceneratorëve në mënyrë fiktive. Përmes këtyre kompanive të angazhuara edhe ne vjedhjen e TVSH-se. Ndiqni se si lëvizin paratë, për të kuptuar arsyen e vërtetë përse Rama nuk i ndalon pagesat e inceneratorëve. Ndërkohë që bizneset e shqiptarëve mbyllen dhe mbyten në gjoba nga tatimet për kupona tatimorë, kompanitë e lidhura me inceneratorët vjedhin paratë e shqiptarëve, mbushin xhepat e pushtetarëve dhe bëjnë evazion fiskal, të pashqetësuar nga mburoja politike e grupit të strukturuar kriminal.

Ne do vijojmë të zbardhim të vërtetën për publikun. Karriera politike e kujtdo në qeveri apo bashki, nuk mund të shërbejë si presion ndaj drejtësisë që ajo të ndihet e intimiduar për ti shkuar deri ne fund zbardhjes. Uroj që ky informacion i radhës, bashkë edhe me faktet e tjera që kemi publikuar më parë, t'i shërbejnë SPAK për të rivendosur sa më shpejt të drejtën e qytetarëve në vend. SPAK dhe drejtësia duhet të gjejë forcën ti shërbejë interesit të qytetarëve, jo kriminalitetit të pushtetarëve!