Kërpaçi: Jo fokusi te përjashtimi i Berishës nga KQZ, por te kandidatët dhe platforma e tyre
Në një intervistë për ORA News, ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi tha se nuk është se ka rëndësi vendimi i KQZ-së për të mos pranuar Komisionin e Rithemelimit të PD-së për 6 marsin.
Ajo u shpreh e rëndësishme në këtë proces është fakti që kandidatët do të garojnë dhe do të shkojnë te qytetarët me platformat e tyre më të mira.
Kërpaçi: Nuk e ka ndjekur këtë zhvillim, sepse janë ekspertët ligjorë të partisë sonë dhe të grupit të rithemelimit që kanë mbajtur kontakte me KQZ-në. Nuk është se duhet të fokusohemi te kjo çështje, por te fakti që kandidatët do të garojnë dhe do të shkojnë te qytetarët me një alternativë që qytetarët meritojnë. Ka rëndësi se si do të ndryshojë jeta e qytetarëve në këto 6 bashki. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodhi dhe si ndodhi.
Në këto zgjedhje kthehet legjitimiteti i munguar tashmë prej kohësh dhe mbi të gjitha njerëzit do të kenë mundësi që të zgjedhin për veten e tyre më të mirën. Këto nuk janë zgjedhje për pushtet. Këtu nuk bëhet fjalë për pushtetin personal të LSI-së, por për zgjedhje ku njerëzit garojnë me platforma dhe ku duhet votuar alternativa më e mirë. Këta kandidatë kanë mundësinë që të tregojnë vlerat e tyre më të mira.
