Të katër janë me burg përjetë, gjykata i cakton “arrest në burg” Grorit, Gaxhait, Llanaj dhe Leo Osmanit

Gjykata e Elbasanit, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për personat e proceduar nga prokuroria, si njerëzit që fusnin në ambjentet e burgut telefona, pije alkoolike dhe kishin organizuar llotari të basteve sportive.

Vendimi është marë nga gjyqtarja e çështjes Idush Maliqi, e cila vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit, Ridvan Suka.

“Ora News”, mëson se masa e “arrestit në burg” është marrë për Aleksandër Llanaj, Leo Osmanin, Gazmir Brakën ose “Gaxhain” dhe Arben Grorin, të dënuar më parë me burgime të përjetshme.

Po e njëjta masë sigurimi është marrë edhe për të dënuarit e tjerë si Delin Hajdari nga Vlora dhe Aleksandër Alibashi.

Në burg janë lënë dhe punonjësit e policisë së burgjeve, Veli Bici, Robert Dedaj, Olger Muçka nga Bilishti, Metkë Nurçellari dhe Artan Dulellari.

Përgjimet ambientale dhe telefonike kanë zbuluar rrjetin që funksiononte në institucionin e paraburgimit të Elbasanit, Bradashes, në Peqin dhe në burgun e Drenovës në Korçë.

Për sende të ndaluara apo favore që donin në qeli, të paraburgosurit linin shpërblimin tek pronarët e lokalit pranë këtij institucioni, e më pas ato futeshin brenda nga policët e paraburgimit thuhet në dosjen e siguruar nga “Ora News”.