SHBA mirëpret zgjatjen e komisionit për hetimin e incineratorëve: Do e monitorojmë nga afër
Ngërçi në hetimin e tre kontratave për koncesionin e mbetjeve ka shqetësuar edhe ndërkombëtarët. Kërkesave të Partisë Demokratike për të shtyrë afatin e komisionit të posaçëm parlamentar të paktën me dy muaj socialistët i janë përgjigjur me refuzim dhe me argument procedurial.
Tashmë është Ambasada Amerikane që përmes një deklarate në twitter kërkon vijimin e punimeve.
"Mirëpresim zgjatjen e komisionit parlamentar për inceneratorët. Ne u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve dhe institucioneve përkatëse të shqyrtojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura. Ne do ta shikojmë këtë nga afër" shkruan ambasadorja Yuri Kim në një postim në twitter.
Më tej ambasadorja Yuri Kim nënvizon edhe një herë se Forcimi i institucioneve demokratike dhe lufta korrupsioni janë prioritetet e SHBA-së në Shqipëri.
Komisioni i Rregullores miratoi sot zgjatjen e afatit deri në 25 shkurt ditën e mbylljes së këtij komisioni dhe duke i hapur rrugë planit të hetimit të propozuar nga Partia Demokratike në këtë komision.
Prej tetorit të vitit të shkuar, komisioni ka kërkuar prezencën për tu pyetur për 28 persona. I pari në listë qëndron kryeministri Edi Rama, ministri Arben ahmetaj, ish ministri Shkëlqim Cani, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj etj.
Deri më tani debatet janë përqendruar te procedurat, ndërsa kryetarja e komisionit Jorida Tabaku ka zbuluar dokumente të KLSH dhe të Avokaturës së Shtetit për pagesa deri në 60 milionë euro për punë të pakryera si dhe për parregullsi në nënshkrimin e kontratës.
