Lajçak dhe Escobar: Së shpejti Kurti takohet me Vuçiç. Jemi pro mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë
I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe homologu i tij evropian, Miroslav Lajçak kanë përfunduar takimet e tyre me zyrtarët serbë në Beograd, ku kanë bërë thirrje për zbatimin e çështjeve që Kosova e Serbia janë pajtuar në të kaluarën.
Dy diplomatët, kanë bërë thirrje për përparim të shpejtë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.
Lajçak deklaroi se është optimist se mes Vuçiç dhe Kurtit do të mbahet një takim tet-a-tet në Bruksel.
"Pas dy takimeve të qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar, ne thamë se donim që takimi i tretë mes Kurtit dhe Vuçiqit të sillte rezultate konkrete. Muajt e fundit kemi punuar për përgatitjen e këtij takimi. Nuk ka pasur shumë dialog, por ka pasur shumë progres. Sot mund të them se jam optimist dhe çështja është se kur do të mbahet ai takim dhe jo do të ndodhë apo jo."
Zv/ndihmëssekretari i Shtetit, Escobar foli për asociacionin, ku shtoi se ai duhet të diskutohet dhe të arrihet një pajtim gjatë dialogut.
Escobar tha ndër të tjera se SHBA-të nuk janë pjesë e dialogut, por ato do të mbështesin financiarisht, politikisht dhe teknikisht çdo marrëveshje që do arrihet.
Dy përfaqësuesit u takuan edhe me kryeministren Brnabiç, kreun e të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, partitë opozitare dhe ministrin e Jashtëm, Nikolla Selakoviç.
Ky i fundit iu ankua diplomatëve për zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, për të cilat Kosova ka thënë se nuk do të lejojë serbët atje që të votojnë përmes qendrave të votimit.
Selakoviç u kujtoi emisarëve se në dy dekadat e fundit zgjedhjet janë mbajtur në Kosovë me anë të përfaqësuesve të OSBE-së.
Lajçak dhe Escobar mësohet të kenë thënë se janë dakord që serbët e Kosovës duhet të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit.
Kujtojmë që në 16 janar u mbajt referendumi serb për ndryshime kushtetuese, të cilën Kosova nuk e lejoi të zhvillohej në qendra votimi, por vetëm përmes postës, ose përmes Zyrës Ndërlidhëse me Beogradin në Prishtinë.


