Krisen marrëdhëniet Shkup-Sofje
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev e ka përshkruar vizitën e kryeministrit Kiril Petkov në Maqedoninë e Veriut si të nxituar, duke rikthyer edhe njëherë tensionet mes dy vendeve fqinje.
"Çdo veprim i nxituar i qeverisë bullgare, çdo sinjal paraprak pozitiv mund të keqinterpretohet si disa lëshime nga pala bullgare. "
Reagimi i kreut të shtetit vjen pas takimit të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski me një grup të shtetasve maqedonas të Bullgarisë, të cilët nuk njihen si pakicë nga qeveria në Sofje.
Radev e cilësoi këtë takim si një provokim nga homologu i tij maqedonas.
"Veprimet dhe sjelljet e presidentit maqedonas nuk kontribuojnë në përparimin aq të dëshiruar të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropain. "
Në një reagim të tij, Pendarovski u shpreh se nëse dikush provokohet nga takimi i Presidentit me maqedonasit që jetojnë kudo në botë, ky nuk problem është i tij.
Pendarovski u tha maqedonasve të Bullgarisë që të drejtat e tyre mund t’i ushtrojnë vetëm brenda vendit ku jetojnë, ose përmes gjykatave ndërkombëtare.
Përplasjet mes zyrtarëve të të dyja vendeve vijnë pas vizitës së kryeministrit bullgar, Kiril Petkov në Shkup, dhe mbledhjes së dy qeverive në Sofje, më 25 janar.
Çështjet historike kanë përplasur historianët nga të dyja vendet për shkak të dallimeve të mëdha për të kaluarën e të dyja shteteve.
Sofja kërkon nga Shkupi që të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase.
Kujtojmë që në nëntor të vitit 2020, Maqedonia e Veriut nuk e mori datën për nisjen e bisedimeve me BE-në për shkak të vetos së Bullgarisë, e duket se pas zhvillimeve të fundit, situata mund të përshkallëzohet sërish.


