Escobar e Lajçak zbarkojnë në Beograd/ Dy diplomatët takohen me presidentin e Serbisë, Vuçiç

Të dërguarit e posaçëm të SHBA-ve dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak kanë takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç lidhur me dialogun me Kosovën.

Pas takimit, kreu i shtetit serb i ka falënderuar diplomatët për neutralitetin në dialog.
Zyra e Presidencës serbe përmes një komunikate ka deklaruar se Vuçiç ka diskutuar me dy diplomatët edhe stabilitetin e rajonit, rritjen ekonomike të Serbisë e gjithë Ballkanit Perëndimor.

Sipas Vuçiç, qeveria kosovare po përpiqet të shmangë përmbushjen e obligimeve përmes provokimeve të një anshme duke penguar ecurinë e mëtejshme të bisedimeve.

Escobar e Lajçak kanë ofruar mbështetjen e tyre për vazhdimin e dialogut si dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbushin të gjitha detyrimet që parasheh dialogu.

Dy diplomatët perëndimorë pritet të takohen gjatë së enjtes me zyrtarë të tjerë politikë të Serbisë, ku pritet që ta finalizojnë vizitën e tyre me një konferencë për mediet ku do të paraqesin konkluzionet e takimeve me palën serbe.

Vizita e Lajçak e Escobar në Beograd vjen pas vizitës treditore në Prishtinë.

Ardhja e diplomatëve në Prishtinë e Beograd lidhet me dialogun mes dy vendeve dhe më veçanërisht, themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti ka dhënë sinjale se unifikimi i komunave serbe nuk do të themelohet, çështje e cila kontestohet fillimisht nga Serbia.