Kryeministri i Malit të Zi: Me rënien tonë, qeveria i kalon DPS
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, kryeministri Zdravko Krivokapiç ka paralajmëruar malazezët se me ikjen e tij, pushteti do të kalonte në duart e presidentit Milo Gjukanoviç.Pak ditë përpara seancës së 4 shkurtit ku do të votohet rrëzimi i qeverisë, e për pasojë kryeministri i Malit të Zi u ka bërë thirrjen e fundit qytetarëve.
"Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se me rënien e Qeverisë, përqendrimi i pushtetit politik kalon në duart e Partisë Demokratike të Socialistëve së mundur dhe presidentit të saj, të cilit iu dha një hapësirë e madhe për të keqpërdorur Kushtetutën dhe për të diktuar dinamikën politike në Mal të Zi."
Krivokapiç u ka bërë thirrje kundërshtarëve të tij që të shikojnë strategjinë në zgjedhjet e parakohshme, të cilat mund të mbahen së shpejti nëse rrëzohet qeveria.
"U bëj thirrje atyre që më akuzojnë se vetëm po mbroj karrigen time, t’ua kthejnë mandatin qytetarëve dhe të kontrollojnë legjitimitetin e platformave politike të tyre, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare."
Mocioni i mosbesimit ndaj Krivokapiç u iniciua nga lëvizja qytetare URA dhe zv/kryeministri në detyrë Dritan Abazoviç me argumentin se do të formonin një qeveri të pakicave, duke krisur koalicionin qeverisës.
Votimi për shkarkimin e qeverisë aktuale u përkrah nga presidenti Gjukanoviç i cili drejton edhe partinë më të madhe në vend, që aktualisht ndodhet në opozitë.
Në 3 shkurt do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për shkarkimin e shqiptaro-malazezit Abazoviç nga posti i zv/kryeministrit ndërsa të nesërmen votohet shkarkimi i Krivokapiç.
Kundërshtarëve të shefit të qeverisë në detyrë i duhen 41 vota nga 80 deputetë që ka aktualisht parlamenti.
Kujtojmë që partia e presidentit Milo Gjukanoviç aktualisht ka të paktën 30 deputetë.

