Opozita kundër shkëmbimit të territoreve, PDK dhe AAK: Pro dialogut, duke ruajtur sovranitetin e vendit

Krerët partive opozitare në Kosovë janë takuar me diplomatët Escobar e Lajçak, ata u shprehën pro dialogut, por duke ruajtur kufijtë territorial të vendit. Kujtomë që pak ditë më parë, Escobar konfirmoi se ideja e shkëmbimit të territoreve vijon të jetë në tryezë. 

Dy të dërguarit specialë të SHBA-ve dhe BE-së, Escobar dhe Lajçak kanë takuar të martën liderin e PDK, Memli Krasniqi, kreun e AAK, Haradinaj dhe kryetarin e LDK, Lumir Abdixhiku.

Liderët e partive opozitare të Kosovës janë shprehur se janë pro dialogut me Serbinë, por pa cenuar sovranitetin dhe territorin e vendit.

Memli Krasniqi: PDK mbështet dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Edhe ish-kryeministri Haradinaj tha se e mbështet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Beogradin, por nxori nga loja Bashkimin Evropian, duke shtuar se dialogu arrihet përmes SHBA-ve.

Haradinaj: Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pak ditë më parë, i dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar nuk e përjashtoi çështjen e shkëmbimit të territoreve të mes Kosovës e Serbisë.

Takimet e diplomatëve perëndimorë me krerët opozitarë u zhvilluan në selinë e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Më 31 janar, Escobar e Lajçak nisën vizitën e tyre në Kosovë, duke u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministrin Kurti në kuadër të rifillimit të dialogut Prishtinë-Beograd.

Takimet me palën serbe pritet të nisin të mërkurën, kujtojmë që dialogu mes dy vendeve ishte stopuar prej muajsh.