Mali i Zi nuk shkarkon Abazoviç, vetëm 20 nga 81 deputetë votuan pro shkarkimit të zv/kryeministrit

Kuvendi i Malit të Zi ka kundërshtuar nismën e kryeministrit Zdravko Krivokapiç për të shkarkuar zëvendësin e tij, Dritan Abazoviç.

Deputetët malazezë votuan kundër miratimit të rendit të ditës, e cila kishte objekt shkarkimin e shqiptaro-malazezit.

Nga 81 deputetë, pro miratimit të rendit të ditës votuan vetëm 20 ligjvënës, 46 abstenuan, ndërsa 11 votuan kundër.

Në një reagim të tij, kreu i lëvizjes qytetare URA, Abazoviç u shpreh se të premten do të ketë edhe më pak deputetë që do mbështesin qeverinë.

"Nesër do të ketë edhe më pak deputetë në mbështetje të qeverisë, kjo do të jetë përgjigja për historinë e vullnetit të popullit. Ne të gjithë duhet të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme që të shtyjë punën përpara."

Të premten pritet që të mbahet seanca e jashtëzakonshme për shkarkimin e kryeministrit të vendit, tashmë në detyrë.

Krivokapiç pas seancës 2 minutëshe ka pranuar se nga nesër nuk do të jetë më kryeministër, duke parashikuar kështu votimin pro shkarkimit të tij.

"E di që nesër nuk do të jem më kryeministër, sepse Gjukanoviç e mbështeti koalicionin e përbashkët për qeverinë e pakicës. Kam qenë i përkushtuar në luftën e sakrificës për një vend të shëndetshëm e dinjitoz për qytetarët tanë. Është spekuluar se do të jap dorëheqjen, për mua nuk ka rëndësi nëse largohem sot, apo qëndroj edhe një ditë më shumë."

Kryeministri Krivokapiç u shpreh se kishte pasur arsye të bindshme për të shkarkuar Abazoviçin më herët për çështje antikushtetuese, antikishtare dhe anti-qytetare.

Krivokapiç në fjalimin e tij të fundit si kreu i qeverisë u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të mos dalin nëpër rrugë pas pakënaqësive për mos shkarkimin e Abazoviç.

Sinkron Krivokapiç: U bëj thirrje qytetarëve të mos dalin në rrugë. Paqja dhe siguria janë më të rëndësishme se të gjitha lojërat e interesat. Qëndroni në shtëpi, bëni kujdes!

Krivokapiç braktisi foltoren e konferencës duke mos iu dhënë mundësinë gazetarëve të bëjnë pyetje.