SHBA akuzon Rusinë se po përgatit një sulm të rremë si pretekst për të pushtuar Ukrainën

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar  se kanë prova që Kremlini  synon të regjistrojë  një sulm të rremë ukrainas në territorin rus ose zonat rusishtfolëse në Ukrainën lindore, në mënyrë që ta përdorin videon si pretekst për të pushtuar ish-republikën sovjetike.

Thuhet se "skenari" do të përfshijë pamje me të vdekur, ndërtesa që hidhen në erë, armë të rënda të rreme ukrainase, drone të prodhimit turk dhe aktorë në rolin e vajtuesve.

"Ne besojmë se Rusia mund të bëjë një video propagandistike shumë të dhunshme, ku do të tregojë viktima të rremë, aktorë që luajnë rolin e vajtuesve, imazhe të vendeve të shkatërruara nga mjetet ushtarake ukrainase dhe perëndimore," tha një zëdhënës i Pentagonit, John Kirby, shkruan BBC.

Në përgjigje, Rusia tha se nuk po planifikon asnjë operacion të rremë.

SHBA dhe NATO janë të shqetësuara për grumbullimin e forcave ruse pranë Ukrainës. Rusia mohon planifikimin për të pushtuar, duke thënë se trupat janë atje për stërvitje.

Tensionet vijnë tetë vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti një rebelim të përgjakshëm në rajonin lindor të Donbasit.