Topi në dorën e Kurtit e Vuçiç, Lajçak dhe Escobar: Kosova e barabartë në dialog, jo ‘Republikës serbe’
Dy diplomatët perëndimorë, Eskobar dhe Lajçak kanë deklaruar se dialogu është vetëm çështje e Prishtinës dhe Beogradit dhe se SHBA e BE nuk duan t’u imponohen palëve dhe se Kosova është e barabartë me Serbinë në dialog.
I dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar dhe homologu i tij evropian kanë mbajtur një konferencë për mediet ku kanë shprehur dëshirën e tyre për një gjetje konstruktive mes Kosovës dhe Serbisë dhe se SHBA dhe BE nuk do t’u imponohen dy qeverive në këtë aspekt.
Lidhur me dialogun, Lajçak u shpreh se Kosova është e barabartë në dialog me Serbinë dhe sa i përket asociacionit, BE nuk është e interesuar për krijimin e një Republike Serbe në Kosovë.
“Asociacioni është vazhdimisht temë e dialogut. Kosova është palë e barabartë në dialog, asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës. Askush nuk dëshiron një ‘Republikë serbe’ në Kosovë."
Por keni një zotim që keni marrë, mos u frikësoni për diçka që nuk ekziston dhe dilni me qëndrime
Ndërsa zv/ndihmës sekretari i Shtetit u shpreh për asociacionin se nuk është qëllimi i SHBA-ve për të gjetur një model që t’ua ofrojë palëve.
Për sa i përket Ballkanit Perëndimor ai u shpreh se duhet të jetë pjesë e BE-së për shkak të dinamikave të rajonit.
“Nuk duhet të jenë modele që minojnë sovranitetin e Kosovës. Pra, ne duhet të gjejmë një prej këtyre modeleve. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe palët mund të pajtohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një ose të zgjedhë një model në emër të palëve. Megjithatë, ne mund të ndihmojmë.”
Eskobar tha ndër të tjera se Biden mbështet pavarësinë e Kosovës dhe se shpreson se dialogu do t’ia arrijë qëllimit.
“Administrata Biden mbështet pavarësinë e Kosovës. Dialogu do të zgjidhë mosmarrëveshjet mes Prishtinës e Beogradit, për të cilën kam besim se do të arrijmë atje.”
Lajçak u pyet edhe për liberalizimin e vizave ku u shpreh se Kosova i ka përmbushur kushtet, por kjo varet nga konsensusi i 27 vendeve anëtare të BE-së.
Ty diplomatët pritet që gjatë së mërkurës të udhëtojnë për në Beograd për t’u takuar me krerët politikë të Serbisë për çështjen e dialogut.
