Serbia sulmon Vjosa Osmanin, Petkoviç: Presidentja e Kosovës mashtron

Kreu i të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën Petar Petkoviç ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes Osmani të hënën në takimin që pati me diplomatët Eskobar dhe Llajçak.

Petkoviç pretendon se akuzat e liderëve politikë në Prishtinë se Serbia po bllokon dialogun nuk janë të vërteta, pasi Kosova sipas tij ka afro 9 vite që bllokon unifikimin e komunave serbe.

"Akuzat e tyre të pabaza se Beogradi zyrtar po bllokon dialogun, siç pohon Vjosa Osmani nuk mund të interpretohen ndryshe. Realiteti është krejtësisht ndryshe dhe se ka 3206 ditë që Prishtina refuzon të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Serbia ka informacione të besueshme se kontrolli i Prishtinës në 9 komuna serbe bëhet për të fshehur eshtrat e të zhdukurve në luftë."

Zyrtari serb theksoi se Beogradi është i vendosur për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por dialogu nuk mund të kthehet në monolog nga Prishtina.

"Për të qenë mjaft i qartë, Beogradi është i vendosur dhe pa mëdyshje i përkushtuar ndaj dialogut dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve, por dialogu nuk mund të trajtohet si monolog i njërës palë që shantazhon në tryezën e bisedimeve, por si proces i përbashkët për gjetjen e dakordësisë."

Petkvoiç përmendi edhe marrëveshjen energjetike mes Prishtinës dhe Beogradit, e cila është refuzuar nga Kosova duke sjellë krizë energjetike.