Serbia e nervozuar me BE-në, ministri: Po punohet për të krijuar "Shqipërinë e Madhe"

Ministri i Jashtëm serb, Nikolla Sellakoviç ka deklaruar përpara dialogut Kosovë-Serbi se nuk sheh asgjë efektive nga Brukseli, duke vënë në dukje edhe planet për formimin e Shqipërisë së Madhe.

Shefi i diplomacisë serbe është viktimizuar me termin krijimi i Shqipërisë së Madhe duke e bërë fakt të kryer bashkimin kombëtar, çështje e cila nuk është përmendur as në Shqipëri apo edhe në Kosovë.

"Nuk do shihni asgjë efektive, ashtu siç nuk do shihni presione të qarta nga perëndimi kundrejt Prishtinës lidhur me dialogun me Beogradin. Planet për të krijuar Shqipërinë e Madhe është një mundësi e mirë për të parë se sa do të heshtë Brukseli dhe gjithë të tjerët, të cilët nuk do reagojnë fare. Shqiptarët nga të dyja anët e kufirit po punojnë shumë për këtë lloj afrimi, ndërsa ndërkombëtarët heshtin për procese të tilla. Mund të shihet lehtësisht hipokrizia kur bëhet fjalë për sfidat me të cilat përballet i gjithë Ballkani Perëndimor."

Edhe pse lëshoi akuza të forta ndaj perëndimit se po vepron me dy standarde dhe shpesh me hipokrizi për vende të ndryshme të rajonit, ministri Selakoviç thotë se Serbia duhet të punojë për rrugën evropiane të saj. 

Ministri i Jashtëm serb u pyet edhe për Republika Srpskan të Bosnje Hercegovinës, për të cilën tha se Serbia nuk po punon për t’u bashkuar me të dhe se respekton integritetin territorial të Bosnje Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit.