Hetim fondeve të Sakos, Celibashi: Proces verifikimi për shpërndarjen e parave të rindërtimit nga Bashkia e Durrës
Komisioni Qendrori Zgjedhjeve, pritet te verifikoje shpërndarjen e fondeve të rindërtimit në bashkinë e Durrësit nëse ato po përdoren për qëllime elektorale. Hetimi u kërkua nga PD dhe LSI. Këtë të mërkurë KQZ regjistroi 11 parti politike për zgjedhjet e 6 marsit.
Ilirjan Celibashi deklaroi se KQZ do të fillojë një proces verifikimi për shpërndarjen e fondeve të rindërtimit nga Bashkia e Durrësit e drejtuar nga Emiriana Sako.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në komision Marash Logu tha se këto fonde të shpërndara në prag të zgjedhjeve të pjesshme vendore kanë si qëllim përfitimin politik.
Gjithashtu edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim Altin Kaziaj ka kërkuar një hetim për këtë çështje.
"Ne vlerësojmë që ashtu siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e 25 prillit, sërish po përsëritet i njëjti fenomen dhe do vijojë të përsëritet edhe më masivisht. Ja ku jemi këtu, të kemi mundësinë të merren të gjitha masat për të parandaluar shkelje të tilla që minojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme," tha Logu.
"Unë do ftoja gjitha qytetarët që të denoncojnë raste abuzive ku administrata shkon përtej asaj që parashikon ligji, duke joshur, duke intimiduar, duke trajtuar ndryshe, duke diskriminuar disa qytetarë të saj për të përfituar politikisht në mënyrë të padrejtë," tha Kaziaj.
Gjithashtu Kryetar i KQZ Ilirjan Celibashi u shpreh se partitë politike kanë në dispozicion 24 orë kohë për të paraqitur kërkesën e regjistrimit për koalicion.
"Brenda 24 orëve nga ky moment partitë politike kanë të drejtën për të paraqitur kërkesën për tu regjistruar si koalicion," tha Celibashi.
Komisioni shtetëror i zgjedhjeve, ditën e mërkurë miratoi regjistrimin e 11 partive politike si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
