Megaoperacioni në burgje, Peka: Ekzistenca e rrjetit tregon fuqinë e krimit të organizuar dhe kalbjen e sistemit

Një mega-operacion i zhvilluar në 1 shkurt solli arrestimin e 28 personave nga radhët e policisë së shteti dhe zyrtarë të burgjeve me akuzën e bashkëpunimit për futjen e lëndëve narkotike apo sendeve të tjera personale të të burgosurve, deri te të burgosurit VIP, në regjimin 41-Bis.

Ish-zëvendës ministri i Brendshëm, Avenir  Peka i ftuar në studion e Ora News me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se sistemi i burgjeve është një sistem i vështirë dhe kompleks për vetë  faktin se kush janë banorë të atyre burgjeve.

Peka: Elementi kriminal dhe sidomos personat e fuqishëm të botës së krimit influencën dhe paratë e tyre i përdorin për të krijuar komoditete edhe brenda për brenda qelive. Nuk është gjë e re kjo. Nuk është i ri as fakti që individë të caktuar nga policia e burgjeve apo dhe autoritetet lokale të policisë së burgjeve mund të bashkëpunojnë dhe mund të ketë elementë të korruptuar. Ajo çfarë tregoi ky operacion është diçka tjetër. Tregoi që nuk është një veprim individual ose i izoluar i një zyrtari të korruptuar, por është një skemë e ngritur në formën e një organizate të strukturuar kriminale. Përfshihet bashkëpunimi i disa elementeve, jo vetëm thjesht gardianëve të burgut.  Fakti i ekzistencës së këtij rrjeti tregon sofistikimin dhe fuqinë e krimit të organizuar dhe kalbjen e sistemit të brendshëm të burgjeve.

Zoti Peka tha se ky është një sistem që ndjek të njëjtin trend që kanë dhe institucionet e tjera.

Peka: Kjo tregon se sa shumë ka penetruar krimi i organizuar edhe aty ku supozohet që të vuajnë dënimin.

A çalon siguria e kontrollit të burgjeve në vendin tonë?

Peka: Në momentin kur ke një strukturë të tillë të ngritur me hierarki dhe detyra të caktuara për të bashkëpunuar me elementë kriminalë brenda burgjeve tregon se sa i kalbur është sistemi dhe nuk është diçka e sotshme. E gjithë kjo skemë nuk mund të ndërtohet për një ditë, kjo skemë është ndërtuar ndër vite. Sistemi i burgjeve është po aq i korruptuar sa janë edhe institucionet e tjera të administratës publike. Bashkëpunimi me krimin e organizuar është në të njëjtin nivel siç është edhe në policinë e shtetit dhe e kemi parë ndër vite.

Ekzekutimet e urdhërarresteve janë ndërmarrë në burgun e Bradasheshit Elbasan, në burgun e Drenovës në Korçë dhe në burgun e Peqinit. Nga hetimet ka rezultuar se ishin pjesë e linjës që fusnin në qeli, raki, telefona, heroinë dhe hashash duke cenuar rëndë sigurinë e burgjeve, por dhe sigurinë kombëtare. Të gjitha këto veprime kryheshin kundrejt përfitimeve, duke shpërdoruar detyrën apo me anë të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike. Hetimi ka nisur në vitin 2021 nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe më pas ka vazhduar deri në mbrëmjen e 1 shkurtit 2022.