Zbardhet Dosja "Trinomi": Greva e urisë në 41 BIS, telefonat e kërkesa me kompjuter drejtorit të burgut: Me respekt nga burgu i Peqinit

Ora News siguron dosjen e operacionit “Trinomi” ku 26 anëtarë të skemës u vunë në pranga, ndërsa dy gra po hetohen në arrest shtëpie.

Ne dosjen e siguruar nga Ora News mësohet se një rast ishte greva e urisë e cila fillimisht nisi nga të dënuarit në burgun e Peqinit por më pas u përshkallëzua në Institucionet e Vuajtjeve të Dënimit në qytete të tjera.

Një ngjarje e tillë thuhet në dosje se nisi nga neglizhenca e punonjësve ndërsa rrezikoi dhe elementet e sigurisë në sistemin penitenciar

41 BIS

Në dosje thuhet se problematika e refuzimit të ushqimit kishte nisur në regjimin e posaçëm 41 BIS në burgun e sigurisë së lartë Peqin fillimisht nga i dënuari Genci Balla.

Genci Balla ishte imami i vetëshpallur i Xhamisë së Unazës së re, i dënuar me 17 vite burg si kreu i grupit që rekrutonte luftëtarë nga Shqipëria drejt Sirisë i cili vuante dënimin në këtë burg.

Më 1 gusht 2020 së bashku me Arbjon Alikon, ata të dy kishin kaluar në regjimin e posacëm 41 BIS.

Më 7  shtator 2020 Balla fillon refuzimin e ushqimit dhe më pas i bashkohet atij dhe Arbjon Aliko.

“Nga informacionet e marra rezultonte se i dënuari Genci Balla është një person me reputacion dhe influencë të të dënuarit e tjerë dhe nëpërmjet ndikimit të tij që prej datës 11 shtator 2020 e deri më datë 14 shtator 2020 kishin refuzuar ushqimin dhe 6 të dënuar të tjerë të këtij burgu: Verdi Moraga, Fadil Myslimani, Bujar Hysa, Zeqir Ymeri, Valmir Hoxha dhe Edmond Balla.

Në mbëshetje të kërkesave dhe refuzimit të ushqimit nga Genci Balla dhe Arbjon Aliko kanë filluar refuzimin e ushqimit dhe të dënuarit e tjerë duke rritur numrin e të  dënuarve të cilët refuzonin ushqimin" thuhet ne dosjen e siguruar nga Ora News.

Peticioni

Pas refuzimit të ushqimit u përgatit një peticion i firmosur nga Verdi Morava me disa kërkesa të cilat sipas tyre ishin të drejta dhe kishin të bënin me disa penalitete shtesë për këta të dënuar si pasojë e ndryshimeve që ka pësuar legjislacioni dhe që sipas tyre këto ndryshime rëndon pozitat e tyre.

Të gjithë të burgosurit e Peqinit në grevë

Më 28 shtator 2020 në Peqin fillon refuzimi masiv i cili më parë ishte planifikuar edhe nga vetë të dënuarit.

“Nga informacionet e marra në rrugë të ligjshme pikënisje për këtë refuzim masiv të ushqimit nga të dënuarit ka qenë presioni i bërë të dënuarit Verdi Morava nga Drejtori i Burgut, Bukurosh Malluta i cili i ka thënë këtij të dënuari se nëse nuk ndërpriste refuzimin e ushqimit do të kalonte në regjimin e mbikqyrjes së vecantë pavarësisht se ky kalim nuk është miratuar.”

Telefonata që përshkallëzoi grevën në të gjithë burgjet

Nga informacionet e SHKBB rezultonte se Nikolin Topalli, brenda ambienteve të burgut ku vuante dënimin përdorte një telefon celular të cilin e kishte futur në këto ambiente duke shfrytëzuar ndihmën e dhënë nga punonjësit e IEVP.

"Nga SHKBB në bashkëpunim me institucione të tjera është marrë informacion se një i dënuar i cili është ekstraduar nga Anglia dhe vuan dënimin në Peqin kishte në përdorim një aparat telefoni ku nëpërmjet tij ai komunikonte me të dënuarit e tjerë që ata të bashkoheshin me të dënuarit e Peqinit për të hyrë në grevë pasi shumë shpejt do të hynin në grevë edhe të dënuarit e Peqinit" thuhet ne dosje.

Si u hartua kërkesa me kompjuter? 

Po kështu i dënuari Elsaon Merdani kishte dorëzuar në mënyrë demonstrative drejtorit të burgut të Peqinit një kërkesë me një fletë format A4 në të cilën ishte shkruar me kompjuter dhe në përfundim ishte “ Me respekt të dënuarit e burgut të Peqinit” pa emër e mbiemër apo nënshkrim.

"Në kushtet kur i dënuari Merdani nuk kishte asnjë takim me familjarët apo avokatin lindi dyshimi i arsyeshëm se kërkesa ishte shkruar në kompjuter dhe printuar dhe dyshohej se ishte future nga stafi i institucionit të Peqinit" thuhet ne dosjen e siguruar nga Ora News.

Nga hetimet u zbulua se nga burgu i Peqinit komunikohej me telefon me Aleksandër Llanaj që ndodhej në burgun e Korçës. Ky i fundit kishte dy numra celulari me të cilët komunikonte.

Dosja

Regjistrimi i dosjes është bërë më 9 tetor 2020 për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim.

Dosja ishte regjistruar pas materialit të ardhur nga Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Brugjeve.

Në muajin shtator dhe në fillit të tetorit në 2020 në disa IEVP të ndryshme disa të dënuar e të paraburgosur kishin refuzuar ushqimin. Kjo situatë e kishte patur zanafillën në IEVP e Peqinit dhe më pas ishte përshkallëzuar më tej në IEVP e tjera duke cënuar kështu mirëfunksionimin e institucionit të vuajtjes së dënimit dhe duke penguar ushtrimin normalisht të shërbimit nga ana e punonjësve të këtij institucioni. Ky përshkallëzim dyshohej se kishte ardhur për shkak të neglizhencës në detyrë të personelit dhe konkretisht të personelit të IEVP Peqin. Nga ana e SHKBB nisi evidentimi i arsyeve reale të shkaktimit të kësaj situte e cila “ka çuar në cënimin e elementeve të sigurisë dhe sistemit penitenciar” duke kryer verifikimet e nevojshme” thuhet ne dosjen e siguruar nga Ora News.

Shenim:Materiali u sigurua nga gazetarja Keti Banushi u pergatit nga redaksia online oranews.tv