Nis java diplomatike e dialogut, Escobar dhe Lajçak do të vizitojnë Prishtinën, Beogradin dhe Brukselin
Pas disa muajsh pauzë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të nisë këtë javë përmes dy diplomatëve të SHBA dhe BE, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, të cilët do të takohen me Kurtin dhe Vuçiç.
I dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe homologu i tij evropian, Miroslav Lajçak kanë nisur javën e takimeve në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Siç bëri të ditur faqja zyrtare e Departamentit të Shtetit për Evropën dhe Azinë, takimet do të nisin nga 30 janari deri në 4 shkurt, ku diplomatët pritet të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Escobar dhe Lajçak pritet të vizitojnë Brukselin, Prishtinën dhe Beogradin.
Edhe pse datat e vizitave nuk janë specifikuar ende, mediet kosovare kanë mësuar se dy diplomatët mund të mbërrijnë në Prishtinë të martën për të mbajtur takime me qeverinë Kurti, ndërsa më herët do të zhvillojnë takime me presidentin Vuçiç.
Pritet që në këtë etapë të dialogut të hapet edhe çështja e organizimit të votimeve për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, zgjidhja pritet të vijë përpara se të mbahen parlamentaret serbe në 3 prill.
Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar votimin e referendumit serb i cili u mbajt në 16 janar.
Dialogu mes dy palëve është stopuar për një kohë të gjatë, vitin e shkuar Bashkimi Evropian shprehu ambicien për një takim të përbashkët mes palëve, e cila dështoi pasi dy vendet nuk shprehën vullnet për zgjidhje.
