"S'ka dialog me Kurtin kryeministër", Serbia: Që kur erdhi në pushtet nuk ka pasur diskutim

Në prag të vizitës së diplomatëve Escobar dhe Lajçak, ministri i Jashtëm serb ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi nuk kanë zhvilluar ndonjëherë dialog që nga koha kur Kurti është bërë kryeministër dhe ndoshta s’ka për të pasur.

Në prag të rifillimit të dialogut Prishtinë Beograd, ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviç ka deklaruar të dielën se nuk ka pasur dialog që nga koha kur Albin Kurti ka ardhur në krye të qeverisë.

Ministri Selakoviç është shprehur edhe skeptik për të ardhmen, duke shtuar se ndoshta nuk do të ketë as në vazhdim një dialog të frytshëm me Kurtin kryeministër.

Selakoviç: Ne jemi gjithnjë të gatshëm për t’u ulur në tryezën e diskutimeve dhe të dialogojmë. Por është e qartë për ne, se që prej kohës kur Albin Kurti ka ardhur në pushtet nuk ka pasur dialog mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ndoshta as nuk do të ketë, përderisa ai vendos.

Kryediplomati serb ka përsëritur se Beogradi po merr vendime të arsyeshme dhe se mbetet i përkushtuar ndaj dialogut dhe ruajtjes së stabilitetit me Kosovën.

Ministri serb komentoi edhe vizitën e dy diplomatëve perëndimorë, Escobar dhe Lajçak për të cilët tha se janë të angazhuar për të zgjidhu ngërçin mes Prishtinës dhe Beogradit.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim marrëdhëniesh, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel, ka nisur më 2011, ndërsa që prej kohës kur kryeministri Kurti erdhi pushtet, janë zhvilluar vetëm 2 takime të nivelit të lartë, ku të dyja palët nuk kanë rënë dakord për çështjet që janë dialoguar.